Sport

Van Gaali synon ta bëjë Holandën kampione të botës

Dy javë brenda periudhës së tretë si përzgjedhës i Përfaqësueses së Holandës, Louis van Gaal ka një qëllim të qartë: “Të bëhet kampion bote”. Mirëpo ai pranoi të martën se nuk do të jetë e lehtë me kohë shumë të kufizuar për të përgatitur ekipin e tij për tri ndeshjet kualifikuese vendimtare për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, që do t’i luajë muajin e ardhshëm. Holanda arriti në tri finale të Kampionatit Botëror – 1974, 1978, 2020 - dhe i humbi të gjitha. E fitoi vetëm Kampionatin Evropian në vitin 1988. Van Gaal në këtë post e zëvendësoi Frank de Boerin, i cili u largua pas eliminimit të Holandës në 1/8 e finales të Kampionatit Evropian nga Përfaqësuesja e Çekisë. Në stilin tipik të vetëbesimit, Van Gaal është më se i bindur se Federata e Futbollit të Holandës ka bërë zgjedhjen e duhur që e ka emëruar përzgjedhës.

“Unë kam bërë gjithmonë gjithçka për të ndihmuar futbollin holandez dhe mendoj se nëse do të isha në pozicionin e federatës, sërish do ta kisha zgjedhur veten”, tha Van Gaal, 70-vjeçar, në konferencën e tij të parë për shtyp.

Van Gaal, i cili doli nga pensioni për ta marrë këtë punë, gjithashtu ka punuar si trajner edhe nëpër skuadrat e Evropës, si Barcelona, Bayern Munich, Manchester United e Ajax. Në periudhën e tij të fundit në krye të Përfaqësueses së Holandës ai udhëhoqi ekipin në pozitën e tretë në Kampionatin Botëror të vitit 2014, që u mbajt në Brazil. Ai tha se kjo periudhë do të jetë më ndryshe prej asaj të vitit 2014, sepse nuk ka kohë të mjaftueshme për ta përgatitur ekipin siç dëshiron për ndeshjet e muajit të ardhshëm. Muajin tjetër Holanda në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022” do të përballet me Norvegjinë, Malin e Zi dhe Turqinë. Aktualisht Holanda zë vendin e dytë në Grupin G me gjashtë pikë të mbledhura pas tri ndeshjeve të zhvilluara. Turqia është lidere e këtij grupi me shtatë pikë. Në bisedimet e tij të deritanishme me lojtarët, Van Gaal nuk është ndalur fare te zhgënjimi i Holandës në “Euro 2020”. Ai ka thënë se është fokusuar tek e ardhmja dhe synimet që i ka ta fitojë titullin e kampionit të botës në vitin tjetër.

“Unë nuk kam folur për të kaluarën, pasi kjo nuk është krejtësisht interesante. Ne folëm për të ardhmen dhe synimet e mëdha që i kemi së bashku”, insistoi Van Gaal.

De Boer u përball me kritika të ashpra për mosaplikimin e një sistemi të lojës me katër mbrojtës, tre mesfushorë dhe tre sulmues në Kampionatin Evropian - një formacion sulmues me të cilin lojtarët holandezë janë të njoftuar që në akademitë e të rinjve. Në fakt, ky edhe është sistemi i lojës me të cilin identifikohet Holanda. Van Gaal tha se lojtarët me të cilët ka folur deri më tani shprehën një preferencë për atë sistem, por ai nuk bëri asnjë premtim se do ta përdorë atë. Në Botërorin “Brazili 2014” ai pati sukses duke luajtur me formacione të ndryshme, duke fituar një reputacion si mjeshtër i futbollit.

“Unë gjithmonë i dëgjoj lojtarët e mi, por shikoj edhe cilësitë e kundërshtarit. Gjithashtu, shikoj cilësitë e skuadrës sime dhe përshtat një sistem që mendoj se është më i miri. Do të shoh muajin tjetër se me çfarë sistemi do të luaj, ende nuk kam menduar për këtë”, shtoi Van Gaal.