Prej fillimit të shtatorit mesfushori Valon Berisha është pa skuadër. Reprezentuesi i Kosovës shkëputi kontratën me Reimsin e Ligue 1 të Francës, me marrëveshje të dyanshme. 30-vjeçari ndërkohë e ka kaluar edhe një lëndim jo të lehtë dhe tashmë po ndihet i gatshëm të kthehet në fushat e blerta.
Berisha është në pritje të ofertës së duhur për vazhdim të karrierës. Thotë se i kishte dy oferta në tavolinë, por të cilat i ka refuzuar pasi ka ndier se nuk janë të duhurat.
Ai aktualisht është në Norvegji, ku edhe e ka familjen.
“Ka interesim të skuadrave të ndryshme për mua. Deri më tani i kam pasur dy oferta, por që i kam refuzuar. Po pres derisa të vijë ndonjë mundësi për të cilën ndihem mirë dhe që është zgjedhja e duhur. Duhet të jem i kujdesshëm pasi tani pas lëndimit më duhet të kem ambientin e duhur për kthim në ritëm”, ka thënë Berisha për KOHËN, të hënën.
Në kampionatin e kaluar 2022/2023, Berisha luajti për Melbourne Cityn në Australi. Te kjo skuadër ishte i huazuar nga Reimsi francez. Te Reimsi ishte prej vitit 2020, ndërsa kishte kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm. Por u vendos që ajo kontratë të shkëputet më 1 shtator. Më herët Berisha ka luajtur për Fortuna Duesseldorfin në Bundesligë, Lazion në Serie A, Red Bull Salzburgun në Bundesligën e Austrisë dhe te Vikingu e Egersundi në Norvegji. Ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Norvegjisë, ndërsa për përfaqësuesen A të këtij vendi i kishte 20 ndeshje. Në vitin 2016 vendosi ta linte Norvegjinë dhe t’i bashkohej Kosovës. Te Kosova deri më tani i ka luajtur 40 ndeshje, ndërsa i ka realizuar katër gola. Për kohë të gjatë ishte lojtari kryesor i mesfushës.
Në Ligue 1 të Francës, Berisha i ka 37 ndeshje. I ka 13 paraqitje në Bundesligë e 11 në Serie A. Në Bundesligën e Austrisë ka përvojën më të gjatë. Ka luajtur 167 ndeshje, ndërsa ka realizuar 31 gola e 51 asistime.
“Ka interesim nga Arabia Saudite, Turqia, Belgjika, Austria, Zvicra. Ka kontakte edhe nga Gjermania, por jo diçka konkrete. Fizikisht po e ndiej veten shumë mirë. Rikuperimin e kam bërë me sukses dhe kjo ishte më e rëndësishmja”, ka shtuar Berisha. Ai ka thënë se javët e ardhshme do të vendosë për skuadrën e re. Por thotë se nuk do të ngutet pasi vendimi duhet të jetë i duhuri, sidomos pas lëndimit.
Ndeshjet e fundit Valon Berisha i ka luajtur me Kosovën. Në shtator u paraqit ndaj Zvicrës dhe Rumanisë. Kosova deri në mars nuk ka ndeshje. Deri atëherë Berisha pritet të bëhet me skuadër dhe të jetë kandidat për mesfushën e përfaqësueses.