Trajneri Valdet Shoshi ka paralajmëruar ankesë ndaj vendimit të Komisionit Disiplinor të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ky organ i FFK-së e ka suspenduar Shoshin për një vit.
“Valdet Shoshi, kryetrajner i Rilindja 1974, dënohet me ndalesë të kryerjes së funksionit të kryetrajnerit dhe detyrave zyrtare në klub dhe organeve të tjera të FFK-së në kohëzgjatje për një vit, si dhe me gjobë prej 200 eurosh. Komisioni Disiplinor konstatoi se Valdet Shoshi është paraqitur pa të drejtë në kryerjen e funksionit të kryetrajnerit në protokollin zyrtar në ndeshjen Vëllaznimi - Rilindja 1974. Shoshi në funksione të dyfishta zyrtare, kryetajner në Rilindja 1974 dhe sekretar i Shoqatës së trajnerëve të futbollit në kuadër të FFK-së me licencë të skaduar të trajnerit të futbollit, mashtroi dhe solli në lajthitje organet e FFK-së duke përdorur të dhëna të rrejshme dhe jo të plota për dispozitat mbi punën e tij profesionale- pedagogjike – veprim i cili reflekton elemente të mashtrimit dhe sjelljes në lajthim për të gjitha organet udhëheqëse të FFK-së”, shkruan ndër të tjera në vendimin e Komisionit Disiplinor të 14 tetorit.
Shoshi thotë për KOHËN se do të ankohet në shkallën e dytë. Por, ai e pranon se licencës i kishte skaduar afati dhe se nuk ishte i pajisur me ID ku evidentohen trajnerët në “FIFA Conect”.
Shoshi insiston se në asnjë rregullore nuk është e përcaktuar kjo çështje.
“Një shpifje dhe vendim shumë i padrejtë. Nuk jam në FIFA Conect si trajner i Rilindjes 1974, pasi kemi qenë duke i përgatitur dokumentet për regjistrim për ID të trajnerëve. Kam qenë me ID kur kam qenë në KF Istogu. Por për shkak të koronavirusit dhe problemeve të udhëtimit në Bosnje, nuk kam mundur të udhëtoj në afatet e caktuara për vazhdimin e licencës. Së shpejti do ta vazhdojë. Po pyes a ka ndonjë rregullore ku e përcakton këtë. Kënd e kam lajthitur unë, kë e kam mashtruar unë? Në cilat fakte është thirrur ky komision? Unë do të ankohem në shkallën e dytë. Jam duke e konsultuar edhe avokatin tim. Nëse nuk marr përgjigje pozitive, sigurisht që do ta padis Komisionin disiplinor”, tha Shoshi.
Ai mohon të jetë sekretar i Shoqatës së Trajnerëve, ashtu siç shkruan në vendimin e Komisionit disiplinor.
“Jam anëtar i Bordit, ku kam kryer punën e administratorit. Lëshohen lejet e punës për të gjitha klubet si dhe arkëtarët. Krejt këto punë i kam kryer në mënyrë vullnetare pa asnjë kompensim”, deklaroi ish-trajneri i Besës, me të cilën skuadër është bërë edhe kampion i Kosovës në vitin 2005.
Ai hedh dyshime se raste të tilla mund të ketë edhe në Superligë. Madje bën akuza të rënda.
“Ka klube të Superligës pa leje të punës, si dhe ka trajnerë qe iu ka skaduar licenca dhe u është dhënë ndoshta ID nga administratorja e ‘Conect programit’. Po pyes si mundet një trajner i Superligës të udhëheqë ekipin pa leje të punës?. Unë jam paraqitur me licencë e jo me ID. Unë nuk jam sekretar i shoqatës së trajnerëve”, përfundoi Shoshi.
Rilindja garon në kategorinë e dytë të futbollit kosovar.