Kikboksi është një sport luftarak. Si i tillë, për shumë kohë ka qenë i preferuar nga gjinia mashkullore, por tani numri i vajzave të interesuara është rritur.
Kikboksi njihet ndryshe si një përzierje e karatesë dhe boksit, i cili bazohet në grushte dhe shqelma, raporton emisioni SOT në KTV.
Ndonëse nga jashtë duket sport luftarak dhe agresiv, vajzat që janë pjesë e grupit thonë se ky lloj sporti është i mirë edhe për humbje peshe e shtim muskujsh, e jo vetëm për vetëmbrojtje.
Përveç anës fizike, disa prej tyre thonë se ky sport ka ndikuar pozitivisht në anën psikike.
Trajneri Flamur Pestisha thotë se për shkak të benefiteve të shumta të tij, kikboksi, çdo ditë e më shumë, po pëlqehet nga vajzat.
Ai thotë se tashmë ndarja në gjini nuk vlen në këtë sport.
Megjithatë, në gara, Kosovën e kanë përfaqësuar vetëm djemtë.
E ky sport luftarak, përveç vetëmbrojtjes, duket se është i duhuri për largimin e stresit dhe çlodhjen e trupit pas një dite të gjatë.