Sport

Unitedi ngjitet në pozitën e katërt në tabelë

Manchester Unitedi është ngjitur në pozitën e katërt në renditjen e Premier Leagues angleze.

Unitedi të mërkurën mbrëma e fitoi 1:0 ndeshjen e mbetur të xhiros së 25-të të elitës angleze të futbollit ndaj skuadrës së Brentfordit.

Golin e vetëm në këtë ballafaqim e shënoi Marcus Rashford në minutën e 27-të.

Ishte goli i tij i 28-të këtë edicion për Unitedin në të gjitha garat, ndërsa i 15-ti në Premier League.

Unitedi ka 53 pikë, ndërsa Brentfordi në vendin e nëntë ka 43 pikë.

Të mërkurën mbrëma ndeshjen e mbetur të xhiros së shtatë të Premier Leagues, e fitoi edhe Newcastle Unitedi, 5:1, në udhëtim te West Ham Unitedi.

Callum Wilson në minutën e gjashtë dhe Joelinton në minutën e 13-të shënuan dy golat e parë për mysafirët.

Kurt Zouma në minutën e 40-të ngushtoi epërsinë, por në pjesën e dytë mysafirët shënuan edhe tre gola tjerë.

Ëilson realizoi për 3:1 në minutën e 46-të, kurse Alexander Isak në minutën e 82-të realizoi për 4:1.

Rezultatin final e vulosi Joelinton në fundin e ndeshjes.

Newcastle është në pozitën e tretë me 53 pikë aq sa ka edhe Unitedi.

West Hami në vendin e 15-të ka 27 pikë, aq sa kanë edhe Evertoni, Nottinghami dhe Bournemouthi.

Gara për mbetje në ligë është bërë shumë e fortë në Angli.