Premier League vazhdon me xhiron e rregullt, që do të jetë e parafundit për këtë vit. Të martën, mërkurën dhe të enjten do të luhen ndeshjet e xhiros së 18 në kampionatin e Anglisë.
Megjithatë, vëmendja do të jetë në stadiumin “Old Trafford”, ku Manchester Unitedi e pret skuadrën e Aston Villas. Kjo ndeshje nis në orën 21:00 dhe është njëra prej gjashtë dueleve që do të luhen gjatë ditës së martë.
Manchester Unitedi është i teti në tabelë me 28 pikë të mbledhura dhe ndaj Aston Villas do të kërkoj të rikthehet te fitorja pas një serie prej dy humbjeve dhe një barazimi në tri ndeshjet e fundit. Në fakt, Unitedi ka vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit në kampionat dhe kundër ekipit të drejtuar nga Unai Emery e pret një mision tejet i vështirë.
Aston Villa po kalon një formë të mirë, pasi në pesë ndeshjet e fundit nuk di për humbje. Ka regjistruar tri fitore e një barazim dhe është në vendin e tretë në tabelë me 39 pikë, sa i ka edhe Liverpooli po që renditet i dyti. Edhe Liverpooli luan të martën por prej orës 18:30, ku do të jetë mysafir i skuadrës së Burnleyt.
Ekipi i trajnerit Juergen Klopp vlerësohet favorit në këtë ndeshje duke pasur parasysh se Burnley është i parafundit në tabelë me 11 pikë të tubuara. Liverpooli në këtë duel futet pas dy barazimeve rresht, ndërsa Burnley pas fitores që e arriti vikendin e shkuar në udhëtim te skuadra e Fulhamit.
Kjo xhiro e Premier Leagues nis me duelin mes Newcastle Unitedit dhe Nottigham Forestit prej orës 13:30, ndërsa në orën 16:00 do të zhvillohen ndeshjet Bournemouth – Fulham dhe Sheffield United – Luton.
Të mërkurën, luhen tri ndeshje ndërsa më interesantja do të jetë ajo mes Evertonit dhe Manchester Cityt, e cila starton në orën 21:15. Evertoni që po lufton për të siguruar mbijetesën ka vetëm një humbje karshi katër fitoreve në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa City ka një fitore, tri barazime dhe një humbje. 45 minuta para këtij takimi, do të luhen përballjet Brentford – Wolverhampton dhe Chelsea – Crystal Palace.
Skuadra e Chelseat do të tentojë të reflektojë nga humbja e fundit nga Wolverhamptoni, ndërsa Crystal Palace nuk di për fitore në pesë ndeshjet e fundit, ku ka tri barazime e dy humbje.
Xhiroja do të mbyllet të enjten me ndeshjen ndërmjet Arsenalit dhe West Ham Unitedit prej orës 21:15. Arsenali është lider në Premier League me 40 pikë dhe do të synojë ta mbajë këtë pozitë edhe pas kësaj xhiroje.
West Hami është i gjashti me 30 pikë, ndërsa ndaj Arsenalit futet pas dy fitoreve rresht. Ndërkohë, të enjten prej orës 20:30 do të ketë përballje ndërmjet Brightonit dhe Tottenhamit. Për dallim prej Tottenhamit që ka tri fitore rresht, Brightoni në tri duelet e fundit ka regjistruar dy barazime e një humbje.