Katër humbje, dy barazime dhe vetëm një fitore në shtatë ndeshjet e stinorit pranveror kanë bërë që Ulpiana të mos arrijë që të largohet nga zona e rrezikshme, e cila nuk siguron mbijetesën në Superligë edhe për edicionin tjetër.
Pas 25 ndeshjeve të luajtura ekipi nga Lipjani renditet në vendin e nëntë që në fund dërgon në Ligën e Parë. Ulpiana ka 23 pikë, tri më pak se Dukagjini që zë vendin e tetë, që në fund siguron barazhin.
Trajneri i Ulpianës, Edlir Tetova, mendon se rezultatet jo të mira në stinorin pranveror kanë të bëjnë me dëmtimet e shumta që ka pasur në skuadër. Ai konfirmon se në disa ndeshje lojtarët kanë luajtur pa qenë 100 për qind të gatshëm.
“Forma e skuadrës ka qenë me luhatje, shkak i së cilës janë mungesat e lojtarëve me dëmtime. Gjatë kësaj kohe nuk kemi pasur stabilitet të grupit, si rasti i Argjent Mustafës të larguar nga ekipi për arsye familjare drejt Gjermanisë. Po vuajmë formën jo të mirë të disa individëve, sepse po jemi të detyruar të fusim në lojë pa qenë në 100 përqindëshin e tyre”, u shpreh Tetova.
Trajneri nga Shqipëria drejton Ulpianën që nga fillimi i këtij edicioni. Ai nuk është i kënaqur me efikasitetin që ka treguar ekipi.
Sipas Tetovës, Ulpiana ndaj Dukagjinit dhe Prishtinës ka merituar më shumë.
“Në duelet e fundit po të marrim ndeshjen me Dukagjinin, mendoj se kemi dominuar lojën në fushë dhe kemi shpërdoruar shumë raste për shënim. Kurse në të vetmen goditje në portë kemi marrë një gol nga 35 metra që për mendimin tim ka qenë i evitueshëm. Ndaj Prishtinës është po e njëjta. Skuadra del përpara portës, por pa konkretizuar gol, gjë që Prishtina e bëri në momentin e parë që shkoi përballë portierit duke shënuar fal eksperiencës në përbërje. Mendoj që lojtarët kanë filluar të ndiejnë presionin ndeshje pas ndeshjeje, por neve si staf na takon që të ndihmojmë lojtarët të kalojnë këtë ngërç”, deklaroi trajneri i ekipit lipjanas.
Ai thekson se ka pritur më shumë nga ardhjet e janarit.
“Patjetër që kam pritur shumë në pranverë me ardhjen e lojtarëve që kemi marrë, por vonesat e tyre dhe dëmtimet kanë sjellë një çekuilibrim në përbërje dhe sidomos të gjendjes fizike në skuadër”, tha Tetova.
Ndonëse Ulpiana ka mbetur në zonën e rrezikshme, Tetova pohon se ekipi nuk është dorëzuar. Ai shpreson që pas ndeshjeve të përfaqësueseve do ta ketë skuadrën e kompletuar për ta arritur synimin që të mbetet pjesë e Superligës.
“Ulpiana derisa ta lejojë matematika do të bëjë maksimumin në çdo ndeshje. Por më shpresë që gjatë pushimit që na japin ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës të kemi grupin e plotë. Ulpiana do të mundohet deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit për të bërë më të mirën me lojë dhe të shkojë drejt rezultateve pozitive, por me shpresë që dëmtimet e lojtarëve ta kenë fundin këtu”, përfundoi Tetova.
Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe 11 xhiro. Në lojë janë edhe 36 pikë.
Ndeshjen e radhës Ulpiana e luan si mysafire e Dritës në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës.
Ndërkaq në kampionat do të jetë mysafire e Feronikelit. Ndeshja është e vlefshme për xhiron e 26-të të elitës së futbollit kosovar.