Sport

Ulpiana e motivuar kërkon rezultat pozitiv në Klinë

Humbja e fundit vetëm se e ka motivuar skuadrën e Ulpianës për të kërkuar rezultat pozitiv në ndeshjen e xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Në xhiron e kaluar, Ulpiana u mposht në shtëpi 2:1 nga Gjilani, ndonëse ishte në avantazh deri në 25 minutat e fundit të ndeshjes dhe pati paraqitje të vlerësuar lart.

Tani futbollistët e Ulpianës do të udhëtojnë në Klinë për t’u përballur me Dukagjinin, ndeshje në të cilën kërkojnë rezultat pozitiv, pse jo edhe fitore. Kështu ka insistuar kapiteni i Ulpianës, Egzon Qerimi të hënën për KOHËN.

Dueli mes Dukagjinit dhe Ulpianës zhvillohet të martën prej orës 13:00. Ulpiana është e shtata në tabelë me 16 pikë dhe në pesë ndeshjet e fundit ka regjistruar tri fitore e dy humbje. Dukagjini është i nënti me 15 pikë të mbledhura, kurse në pesë duelet e fundit ka tri barazime, një fitore dhe një humbje.

“Atmosfera brenda ekipit edhe përkundër humbjes nga Gjilani, është e njëjta, shumë e mirë. Kjo, për shkak se ishte një disfatë dinjitoze. Sa i përket ndeshjes me Dukagjinin, normalisht që synojmë të tregojmë paraqitje të mirë dhe një rezultat pozitiv. Natyrisht që udhëtojmë për fitore, por edhe barazimi është i mirëseardhur në këtë ndeshje që nuk është aspak e lehtë, pasi Dukagjini ka një ekip të mirë”, është shprehur Qerimi.

Moralin e ngritur për ndeshjen me Ulpianën e kanë futbollistët e Dukagjinit. Ata në këtë duel futen pas barazimit pa gola që e patën në udhëtim ndaj skuadrës së Prishtinës. Te Dukagjini kanë pranuar se Ulpiana është një kundërshtare tejet e papërshtatshme dhe cilësore, por kanë insistuar se vetëm fitorja ka vlerë në këtë ndeshje.

“Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Në ekip po mbretëron një atmosferë e mirë, pasi vijmë pas një pike që e morën ndaj një kundërshtari të fortë siç është Prishtina. Motivi është i madh dhe jemi plotësisht të gatshëm për Ulpianën. Ndaj Ulpianës do të hyjmë vetëm për fitore. Edhe Ulpiana ka ekip cilësor, por për ne kanë vlerë vetëm tri pikët”, ka thënë Altin Merlaku, kapiteni i Dukagjinit.

Të martën luhet edhe një ndeshje tjetër. Në stadiumin “Fadil Vokrri”, kampionia në fuqi, Prishtina e pret skuadrën e Feronikelit. Prishtina llogaritet favorite përballë Niklit, që renditet në pozitën e fundit në tabelë me dhjetë pikë.

Ish-kampioni i Kosovës, Feronikeli nuk di për fitore në gjashtë ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar po aq humbje. Në anën tjetër, Prishtina që tani drejtohet nga trajneri boshnjak, Abdullah Ibrakoviq, ka marrë vetëm dy pikë në dy ndeshjet e fundit. Zë vendin e gjashtë në tabelë me 18 pikë, shtatë më pak se Gjilani e Drita që janë në dy pozitat e para.

“Ne do të futemi në këtë ndeshje për pikët maksimale, pasi duam të kthehemi te fitorja. Këtij dueli duhet t’i qasemi me seriozitetin më të madh, për shkak se Feronikeli ka ekip që meriton shumë respekt”, ka thënë mbrojtësi i Prishtinës, Besnik Krasniqi.

 ******

Superliga – XV

E martë (13:00)

Prishtina – Feronikeli

Dukagjini – Ulpiana

E mërkurë (13:00)

Gjilani – Drita

Drenica – Llapi

Ballkani – Malisheva

1. Gjilani 14 6 7 1 18:12 25

2. Drita 14 7 4 3 14:9 25

3. Ballkani 14 6 6 2 18:13 24

4. Llapi 14 6 3 5 20:16 21

5. Drenica 14 6 2 6 17:14 20

6. Prishtina 14 4 6 4 15:13 18

7. Ulpiana 14 4 4 6 15:23 16

8. Malisheva 14 4 3 7 12:13 15

9. Dukagjini 14 3 6 5 10:12 15

10. Feronikeli 14 3 1 10 5:19 10