Heshtja ra mbi lojtarët dhe stafin e Përfaqësueses së Uellsit ndërsa aktori i njohur Michael Sheen mbajti një fjalim emocionues para Kupës së Botës, në bazën stërvitore të skuadrës. Duke përzier të dy gjuhët, uellsiane dhe angleze, Sheen foli për shpresë dhe sfidë. Për një “stuhi të kuqe që vjen në portat e Katarit”. Ai iu referua trajnerit të ndjerë të ekipit, Gary Speed, dhe inkurajoi njeriun e ri në krye, Rob Page, që të “kthejë faqet e librave të historisë”. Ishte një fjalim mjaft nxitës për të gjithë. Uellsi nuk duhet të ketë mungesë motivimi në Katar, jo vetëm për fjalimin e Sheenit.
Për herë të parë që nga viti 1958, uellsianët do të luajnë në skenën më të madhe të futbollit – kulmi i një dekade përmirësimi gradual që ka përkuar me praninë e një prej lojtarëve më të mirë në botë, Gareth Bale. Bale, lojtari më i shtrenjtë kur iu bashkua Real Madridit për 100 milionë euro në vitin 2013, ka ndihmuar që Uellsi të kualifikohet dy kampionatet e fundit evropiane dhe tani në Botërorin e parë në 64 vjet. Është një turne në të cilin lojtarët e mëdhenj të Uellsit si Ryan Giggs, Ian Rush, Mark Hughes e Neville Southall nuk arritën kurrë të luanin.
Turneu i Katarit dukej i paarritshëm edhe për Balen, karriera e të cilit në nivel klubi dukej se kishte perënduar kur u largua nga Reali për t’u transferuar në Los Angeles në qershor. Vazhdimisht i goditur nga lëndimet, sulmuesi 33-vjeçar po vazhdon t’i ruajë paraqitjet më të mira për Uellsin. Kjo mund të jetë skena ku Bale mund të shkëlqejë për herë të fundit, sidomos pasi Uellsi në fazën e grupeve do të luajë me Anglinë, SHBA-në dhe Iranin.
Largimi i Giggsit dhe kujtimet e vitit 1958
Ryan Giggs kishte shpresuar të ishte trajner i Uellsit në këtë Botëror, por ish-lojtari i Manchester Unitedit u tërhoq nga posti i përzgjedhësit për shkak të seancave gjyqësore pas akuzave për dhunë familjare. Giggs tha se nuk dëshironte të ndikonte në përgatitjet e Uellsit për Botëror dhe për këtë arsye u largua. Për shkak të këtij rasti, Giggs nuk e udhëhoqi Uellsin as në “Euro 2020”.
Paraqitja e vetme e Uellsit në Botëror erdhi në vitin 1958, kur arriti deri në çerekfinale për t’u eliminuar nga Brazili (1:0). Golin e vetëm në atë ndeshje e shënoi Pele. Keqardhja më e madhe e Uellsit ishte se në atë ndeshje nuk luajti John Charles, i cili ishte më i merituari që ekipi arriti në çerekfinale. Ai ishte i suspenduar për shkak të një ndërhyrjeje të ashpër në fitoren 2:1 ndaj Hungarisë. Charles ishte njëri prej sulmuesve më të mirë në botë gjatë asaj kohe, ndërsa në nivel klubi luante për Juventusin.
Gjendja fizike e Balet dhe lojtarëve të tjerë
Për t’u siguruar se do të jetë në gjendje perfekte fizike dhe i freskët për Botëror, Bale ka ndjekur një program të personalizuar fitnesi në SHBA. Shumica e paraqitjeve të tij në MLS kanë ardhur në pjesën e dytë dhe Bale ende nuk e ka kompletuar asnjë ndeshje për ekipin e ri, i cili është kualifikuar në plejof si lider i Konferencës Perëndimore. Bale ka insistuar se kurrë nuk është ndier më mirë dhe më i përgatitur. Ai po e shijon futbollin në SHBA, gjë që nuk e bënte vitet e fundit te Real Madridi. Ishte Bale që siguroi kualifikimin e Uellsit në Botëror nëpërmjet plejofit duke shënuar dy gola. Realizoi në gjysmëfinale ndaj Austrisë dhe finale të plejofit kundër Ukrainës. Tek Uellsi megjithatë nuk varen vetëm nga Bale. Përzgjedhësi Page shpreson që mesfushori me përvojë, Aaron Ramsey, të jetë në gjendje të mirë fizike për të luajtur në të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve. Ramsey vazhdimisht ka pasur probleme me lëndime. Tek Uellsi shpresojnë që në Katar të jenë në formën më të mirë edhe sulmuesit Brenan Johnson (Nottingham Forest) e Daniel James (Fulham).