Drejtuesit e UEFA-s u takuan të martën në Nyon me “A22 Sports”, kompania që mbështet Superligën Evropiane (ESL) të propozuar, dhe hodhën poshtë edhe një herë idenë e një lige të shkëputur, tha organi qeverisës i futbollit evropian.
Në takim ishin presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin dhe drejtues nga ligat më të mëdha të Evropës. Ata u takuan me kreun e ri të kompanisë “A22 Sports”, Bernd Reichart dhe themeluesit e saj, Anas Laghrari dhe John Hahn.
Nasser Al-Khelaifi, kryetar i Shoqatës së Klubeve Evropiane (ECA) dhe president i Paris Saint Germainit, gjithashtu mori pjesë në takim, së bashku me kryetarë të disa klubeve dhe përfaqësues nga shoqatat e tifozëve.
“Në përputhje me unitetin e futbollit evropian, UEFA dhe palët pjesëmarrëse të futbollit kundërshtuan edhe një herë njëzëri arsyetimin e projekteve të tilla si ESL gjatë diskutimit të sotëm”, tha UEFA në një deklaratë. “Pjesëmarrësit vunë re, me habi, pretendimet e kreut të ‘A22 Sports’ se kjo kompani nuk po përfaqëson asnjë klub në asnjë cilësi, përfshirë tri klubet që vazhdojnë të mbështesin hapur projektin”.
Real Madridi, Barcelona dhe Juventus ishin në mesin 12 klubeve që shpallën një Superligë të shkëputur në prill të vitit të kaluar, por pas një reagimi armiqësor nga i gjithë komuniteti i futbollit, duke përfshirë tifozët dhe shoqatat, ideja u rrëzua menjëherë. Të gjashtë klubet angleze - Manchester City, Manchester Unitedi, Arsenali, Liverpooli, Chelsea dhe Tottenhami - plus Interi, Milani dhe Atletico Madridi, u tërhoqën nga projekti. Reali, Barça dhe Juve kanë vazhduar ta shtyjnë këtë ide dhe pasi një gjykatë e Madridit ndaloi UEFA-n të ndëshkonte klubet e shkëputura, çështja iu referua Gjykatës Evropiane të Drejtësisë me qendër në Luksemburg.
“Përparimi ynë nga takimi ishte se status quo-ja është e kënaqshme për UEFA-n. Ky pozicion ishte parashikuar pasi UEFA ka qenë operatori i vetëm dhe dominues i garave evropiane të klubeve që nga viti 1955”, tha Reichart në një deklaratë. “Kjo strukturë monopoli po shqyrtohet aktualisht nga Gjykata e Drejtësisë, e cila pritet të japë konkluzionet e saj në pranverën e vitit 2023”.
UEFA shtoi se klubet angleze nuk morën pjesë në mbledhjen e së martës pasi kishin planifikuar të merrnin pjesë në një mbledhje të aksionarëve të Premier Leagues.
Reichart, ish-kreu i kompanisë mediatike “RTL Deutschland”, u emërua kryetar i ri i kompanisë “A22 Sports Management” muajin e kaluar dhe ka thënë se klubet evropiane të futbollit ishin “mbrapa për sa i përket mundësive të tyre”.
Ndërsa ideja origjinale për Superligën Evropiane sugjeronte se do të ishte një ligë e mbyllur e klubeve të pasura, Reichart tha se do të kishte promovim dhe rënie. Reichart tha gjithashtu se kompania tashmë është kontaktuar nga “klube të shumta” dhe ishte në diskutime me to për reformat. Ai nuk i përmendi klubet e përfshira.
“A22 vuri në dukje në mënyrë specifike se dialogu i saj i vazhdueshëm me klubet dhe palët e tjera të interesuara për të ardhmen e garave evropiane të klubeve, duhet të kryhet në një mjedis pa kërcënime dhe kufizime të tjera”, insistoi Reichart. “Në këtë drejtim, A22 kërkoi që UEFA të përmbahet nga aktivitete të tilla për t'u lejuar klubeve dhe të tjerëve lirinë për të shkëmbyer ide rreth reformave të rëndësishme. UEFA dha garanci se kjo do të ndodhte”.