Sport

UEFA nuk komenton raportimet për kurdisje të ndeshjeve në Kosovë

Shtëpia e futbollit evropian, UEFA, në një përgjigje për KOHËN të premten, ka thënë se nuk komenton raportimet për kurdisje të supozuara të ndeshjeve në mënyrë që të mos komprometojë proceset e hetimit.

Autoritetet në Francë të enjten kanë arrestuar nëntë persona të cilët dyshohen për kurdisje të ndeshjeve në Superligën e Kosovës. Sipas Le Parisien, klubi i Llapit është i përfshirë në kurdisjen e katër ndeshjeve.

Por UEFA ka thënë se për ndeshjet e kurdisura jep përgjigje vetëm pasi të hapet procedura disiplinore ose të jenë marrë vendimet.

“Në përputhje me praktikën e saj të gjatë, UEFA përmbahet nga komentimi i hetimeve apo edhe ekzistenca e hetimeve të mundshme për kurdisje ndeshjesh të supozuara në mënyrë që të mos komprometojë proceset e hetimit. UEFA komunikon vetëm për raste/ndeshje specifike pasi të jenë hapur procedurat disiplinore dhe/ose të jenë marrë vendimet”, thuhet në përgjigjen e UEFA-s për KOHËN.

UEFA ka theksuar se ofron gamë të gjerë ekspertize për kurdisjen e ndeshjeve në të gjitha federatat që janë pjesë e saj, përfshirë edhe Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Llapi i ka mohuar akuzat për kurdisje ndeshjesh. Ka thënë se krejt kjo po bëhet për ta dëmtuar imazhin e klubit.

FFK-ja ka thënë të enjten se nuk është në dijeni për shkrimet në Francë, ndërsa nga MKRS-ja kanë thënë se janë njoftuar dhe se një Këshill kundër Dhunës po merret me rastin.