Përfaqësuesja e Turqisë ka shënuar fitore të vështirë ndaj Malit të Zi në ndeshjen e parë të Grupit A në Eurobasket.
Turqia e fitoi ndeshjen dramatike të enjten që u luajt në Tbilisi me rezultatin e ngushtë 72:68.
Kjo përballje ishte shumë interesante, me të dy skuadrat që kalonin herë pas herë në epërsi. Mali i Zi e fitoi çerekun e parë dhe të tretë, ndërsa Turqia ishte më efikase në periudhën e dytë dhe të katërt, ku edhe e bëri dallimin për ta fituar duelin.
Amerikani i natyralizuar Shane Larkin ishte lider i Turqisë në këtë ndeshje, të cilën e mbylli me 18 pikë e shtatë kërcime derisa te Mali i Zi, u veçua Bojan Dubleviq me 18 pikë të shënuara.
Te Turqia në këtë ndeshje për gjashtë minuta u aktivizua edhe basketbollisti shqiptar Erxhan Osmani që pati dy bllokada e një top të vjedhur.
Ndeshjen tjetër në kuadër të grupit, Turqia e luan të shtunën ndaj Bullgarisë.