Sport

Turqia, destinacioni i preferuar i futbollistëve shqiptarë

Reprezentuesi i Kosovës, Ibrahim Dresheviq, ka vendosur që karrierën ta vazhdojë në Turqi. Mbrojtësi 25-vjeçar prej sezonit të ri do të jetë pjesë e ekipit elitar të Turqisë, Fatih Karagumruk. Ai te premten është prezantuar tek ekipi i ri, me të cilin ka firmosur kontratë deri në vitin 2024, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Te Karagumruku, Dresheviq do ta ketë trajner ish-mesfushorin e Italisë, Andrea Pirlo. Ai u transferua si lojtar i lirë, pasi në fund të këtij muaji i skadon kontrata me Heerenveenin. Në fakt, Dresheviq zgjodhi Turqinë për ta vazhduar karrierën para Italisë, pasi interesim për të kishte shprehur edhe ekipi nga Serie A, Sampdoria.

“Mirë se vjen te Karagumruku, Ibrahim Dresheviq. Ekipi ynë e ka shtuar në radhët e veta mbrojtësin 25-vjeçar të Përfaqësueses së Kosovës. Ne i dëshirojmë atij një sezon të suksesshëm”, ka shkruar ekipi turk në Twitter derisa e ka prezantuar Dresheviqin me fanellë.

Dresheviq në sezonin e ri do të jetë njëri prej shumë lojtarëve shqiptarë, që do të luajnë në Turqi, dy divizionet e para të këtij shteti. Numri i tyre mund të shtohet edhe më shumë, nëse gjatë kësaj vere skuadra e Galatasarayt arrin t’i transferojë edhe dy reprezentuesit e tjerë të Kosovës. Bëhet fjalë për mesfushorin Valon Berisha dhe sulmuesin Vedat Muriqi. Madje, për Muriqin është raportuar se Galatasaray ka ofruar 15 milionë euro për ta transferuar nga Lazio, ekip që nuk llogarit në shërbimet e tij për sezonin e ri. Muriqi para se t’i bashkohej Lazios në vitin 2020, ka bërë karrierë në Turqi te skuadrat si Fenerbahçe, Rizespor, Gençlerbirligi e Giresunspor. Me transferimin tashmë zyrtar të Dresheviqit, aktualisht numri i futbollistëve shqiptarë në dy divizionet e para të Turqisë është rreth 20, saktësisht 18.

Dresheviqi është njëri prej tre reprezentuesve të Kosovës, pasi pjesë e ekipeve elitare turke janë edhe Florent Hadërgjonaj e Zymer Bytyqi. Hadërgjonaj në vitin 2020 u transferua te Kasimpasha, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin e ardhshëm. Në sezonin e fundit, Hadërgjonaj shënoi dy gola dhe asistoi tri herë në 33 ndeshje kampionale. E paraqitje dukshëm më të mira edicionin e fundit pati sulmuesi i krahut, Zymer Bytyqi, që ishte njëri prej lojtarëve kryesorë te Konyaspori. Në 32 ndeshje, ai shënoi tetë gola dhe asistoi shtatë herë. Pjesë e Konyasporit janë edhe reprezentuesit e Shqipërisë, sulmuesit Sokol Çikalleshi e Endri Çekiqi. Bytyqi ka kontratë me ekipin turk deri në verën e vitit të ardhshëm, të cilën sipas të gjitha gjasave do ta respektojë deri në fund.

“Po, është e vërtetë që sezoni ka qenë në përgjithësi i mire te Konyaspori, si për mua ashtu edhe për ekipin. Kam kontratë me Konyasporin edhe një vit dhe do ta respektoj. Pas pushimit që do ta kem, do të shoh çfarë do të bëj, pasi edhe mund ta vazhdoj kontratën me Konyasporin”, është shprehur Bytyqi ditë më parë për KOHËN.

Sezonin e ri, në Superligën e Turqisë, do të paraqitet edhe Jetmir Topalli, i cili ndihmoi Istanbulsporin të ngjitet në elitë pas gati dy dekadave. Pjesë e këtij ekipi janë edhe Eduard Roca, Kristal Abazaj e Valon Ethemi. Superliga turke nuk është e panjohur për Topallin. Si futbollist i Yeni Malatyasporit, Topalli shënoi një gol në 13 ndeshje gjatë edicionit 2020/21. Ai verën e shkuar iu bashkua Istanbulsporit, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2026.

“Jam duke u përgatitur maksimalisht që sezonin e ri në Superligë të vazhdoj me formë edhe më të mirë se në sezonin e fundit në Ligën e Parë. Synimi personal është që të luaj sa më shumë, të shënoj dhe të asistoj për bashkëlojtarët e mi. Por pse jo të bëj ndonjë transferim në ndonjë ekip tjetër apo edhe në ndonjë klub të madh në Evropë. Me klubin pres të jemi sa më lart në tabelë. Klubi është profesional dhe ka një plan të mirë”, është shprehur Topalli, që ka vlerësuar lart cilësinë në dy divizionet e para të futbollit turk.

Edhe Arb Manaj ka disa sezone që po bën karrierë në Turqi prejse u largua nga Trepça ’89. Aktualisht, Manaj është pjesë e skuadrës së ligës së parë, Ankara Keçoerenguçu. Jurgen Bardhi po ashtu luan te Keçiorenguçu dhe Eraldo Çinari te Samsunspori në ligën e parë, sikurse Gentian Selmani, Bekim Balaj e Dejvi Bregu që janë pjesë e Bolusporit. Në këtë divizion në sezonin e ri do të paraqitet edhe reprezentuesi i Shqipërisë, Odise Roshi, që është pjesë e Sakaryasporit. Ndërkohë, në elitë është Ermir Lenjani. Lenjani javë më parë u transferua te Umraniyespor. Te kjo skuadër, Lenjani u transferua si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me Grasshoppersin dhe firmosi deri në vitin 2023 me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Ish-sulmuesi i Zvicrës, Admir Mehmedi prej fillimit të këtij viti është pjesë e skuadrës së Antalyasporit, që po ashtu luan në Superligën e Turqisë. Ndërsa, Mërgim Berisha është pjesë e Fenerbahçes.