Dy vjet më parë, Federata e Triatlonit e Kosovës nuk bëri ndryshime të mëdha në strukturën udhëheqëse. Vetëm një anëtare e Bordit u ndërrua nga udhëheqja e vitit 2018, kur edhe u themelua kjo federatë. Familjes së triatlonit iu shtua edhe një klub i ri. Nga pesë u bën gjashtë klube. Por kjo federatë e re dhe e vogël për nga masiviteti, po përballet me probleme të mëdha së fundi. Kryetari aktual i Federatës, Vedat Tërmkolli, nuk pajtohet me thirrjen për Kuvend të Jashtëzakonshëm Zgjedhor të thirrur nga sekretari, Gazmend Maxhuni. Madje, Tërmkolli insiston se sekretari Maxhuni e ka thirrur pa bazë ligjore Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor. Akuzon Maxhunin edhe për nënshkrime të falsifikuara. Por Maxhuni mohon të ketë bërë diçka të jashtëligjshme. Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor është caktuar të mbahet më 16 korrik nga ora 11:00 në Shtëpinë e Sporteve në Prishtinë.
“Kuvendi i ftuar nga sekretari për datën 16 korrik nuk ka bazë, sepse as nuk është mbajtur mbledhje e bordit e as nuk është deponuar dorëheqja e anëtarëve të bordit. Vetëm tre anëtarët e cekur më lart e kanë kërkuar në koordinim me sekretarin. Andaj, ky kuvend është i jashtëligjshëm”, ka thënë Tërmkolli të mërkurën për KOHËN.
Ai thotë se nuk ka ofruar dorëheqje dhe se opinioni është duke u dezinformuar qëllimshëm nga Maxhuni.
“Unë nuk kam dhënë dorëheqje, sidomos pas shumë punëve dhe ngritjes së rezultateve ku vlen të veçohet që kemi arritur të fitojmë Kupën Afrikane në Egjipt dhe pas rritjes së buxhetit nga zero në 82 mijë euro. Por është duke u dezinformuar qëllimisht nga sekretari Gazmend Maxhuni dhe disa anëtarë të Bordit, Labinot Gashi, Naim Gashi dhe Mirdona Vokrri. Të tre së bashku për katër vjet po t’ua mbledhësh nuk iu del as një muaj angazhim, sidomos Mirdona Vokrrit që nuk përfaqëson asnjë klub dhe nuk ka asnjë njohuri me sportin, por vetëm shfrytëzohet nga sekretari për interesat e tij”, është shprehur Tërmkolli.
Ai fton edhe Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) për hetim dhe të ndërmarrë masa.
“Deri te mosmarrëveshja ka ardhur në momentin kur e kam kuptuar që sekretari është duke i nënshkruar dokumentet në emrin tim, e cila është e jashtëligjshme. Ua dërgon Federatës Evropiane dhe Botërore raportet e rrejshme. Sekretari në bashkëpunim me nënkryetarin Labinot Gashi në Kuvendin e Komitetit Olimpik të Kosovës më 30 mars, pa dijeninë time e kanë marrë sportisten e triatlonit, Albina Bojaxhiu dhe e kanë deleguar për Federatën e Pentatlonit Modern, pa pasur lidhje ajo me atë federatë, por e kanë bërë për interes të votave. Kërkoj nga KOK-u të hetojë dhe të marrë masa”, tha ai.
Tërmkolli shkon edhe më tej me akuza për Maxhunin.
“Sekretari kundërligjshëm e ka ndërruar personin e autorizuar me procesverbal dhe nënshkrime të falsifikuara ka ndërruar personin e autorizuar nga OJQ dhe e ka vendosur veten edhe pse nuk ka të drejtë. Edhe pse kanë kaluar tetë muaj që jemi licencuar, sekretari ende nuk ua ka dërguar klubeve statutin dhe rregulloret, por i mban për vete me arsye të interpretimit, ashtu siç i konvenon”, ka thënë Tërmkolli.
Por sekretari Maxhuni jep tjetër version. Thotë se kërkesa për Kuvend të Jashtëzakonshëm Zgjedhor është iniciativë e kryetarit Tërmkolli dhe jo e tij.
“Prej shtatë anëtarëve të Bordit, një anëtar ka dhënë më herët dorëheqje, ku kryetari ia pati aprovuar dorëheqjen e tij edhe pse e ka sjellë vetë kryetari. Kanë mbetur pastaj gjashtë anëtarë në momentin e fundit. Para më pak se një muaj, kryetari me propozimin e tij në Bord ka kërkuar që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Propozimi i kryetarit ka marrë pëlqimin e anëtarëve të Bordit për të shkuar në Zgjedhje të Jashtëzakonshme Zgjedhore për kryetar, nënkryetar dhe anëtar të Bordit”, tha Maxhuni.
Ai insiston se ende nuk e di arsyen e kërkesës për zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Kryetari ka punuar mirë dhe ende nuk e di arsyen pse e ka shtyrë të kërkojë që të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme. Kryetari dhe Bordi janë menaxher të Federatës. Unë jam sekretar, jam i punësuar aty”, ka shtuar Maxhuni.
Ai krenohet që Federata e Triatolonit ka qenë ndër të parat që me sukses e ka mbyllur procesin e licencimit në MKRS.
“Nuk kam pasur synime për të qenë në postin e kryetarit. Kemi qenë bashkëthemelues të Federatës. Jemi federata e katërt e Licencuar nga MKRS-ja dhe kemi marrë pjesë në garat vendore dhe ndërkombëtare”, shtoi Maxhuni.
Federata e Triatlonit e Kosovës ka njoftuar për disa aktivitete vendore e ndërkombëtare që i ka mbajtur prej vitit 2018. Triatloni përfshin tri disiplina: notin, çiklizmin dhe vrapimin. Sekretari Maxhuni u përgjigjet edhe akuzave të kryetarit Tërmkolli.
“Nuk qëndrojnë, realisht ai ka qenë menaxher i Federatës. I ka pasur të gjitha, duke nisur nga llogaria bankare. Nuk është që ka kërkuar diçka prej meje. Ato janë publike, janë në MKRS dhe kushdo që dëshiron mund t’i shohë. Nuk mund t’i fshehë askush. Unë vetëm e falënderoj për bashkëpunimin, ndoshta ai ka kërkuar më shumë në aspektin organizativ të ngjarjeve vendore dhe pjesëmarrjes në garat ndërkombëtare. Bordi ka mundur të thotë që Gazmend Maxhuni, nga ky moment nuk je sekretar, sepse jam i emëruar nga Bordi. Por nuk ka ndodhur asnjëherë, por vetëm janë shprehur të kënaqur me punë e përbashkët që është bërë në Federatë. Janë krenar dhe krenohen me atë punë. Prandaj, po them që është mirë të kontaktohen edhe anëtarët e Bordit dhe të tjerët”, ka thënë Maxhuni.
Me ndarje të njëjtë po përballet edhe Federata e Karatesë e Kosovës. Pos në karate dhe tash në triatlon, ndarje të madhe aktualisht ka edhe në not. Shpesh ndarje ka edhe në taekwondo e në disa sporte të tjera.