Sport

Treshja e pandalshme shqiptare e Konyasporit

Endri Çekiçi, sport, futboll, zymer bytyqi, 18 prill, koha

Zymer Bytyqi në krahun e majtë, Sokol Çikalleshi në qendër të sulmit. Pas Çikalleshit, Endri Çekiçi.

Është ky “trekëndëshi” që kanë formuar futbollistët shqiptarë në fazën e sulmit të Konyasporit, skuadrës që garon në elitën e futbollit të Turqisë. Treshja e fazës së sulmit ka pasur shumë sukses në edicionin aktual të Superligës turke.

Me sukses e mbylli edhe ndeshjen e së dielës. Konyaspori fitoi 4:1 përballë Gaziantepit në shtëpi. Golin e parë e shënoi Endri Çekiçi. Ai u asistua nga Bytyqi.

Në fakt, bashkëpunimi i tre futbollistëve shqiptarë në fushë është bërë “armë” e fuqishme e skuadrës që ka befasuar me rezultate të mëdha.

Bashkërisht ata kanë shënuar 21 gola dhe kanë asistuar 11 herë.

“Për mua është shumë më e lehtë të luaj titullar së bashku me Endri Çekiçin dhe Sokol Çikalleshin, pasi po arrijmë të kuptohemi shumë mirë në fushë. Sigurisht që përparësi për secilin nga ne është se të tre jemi shqiptarë dhe komunikimi që e kemi gjatë ndeshjes po e bënë edhe më të lehtë të vijmë deri tek asistimi apo goli. Mund të them që kjo më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë dhe falë punës që po bëjmë të tre së bashku po kemi edhe rezultatet në fushë. Sigurisht që edhe komunikimi në shqip e ka bërë edhe më të lehtë këtë”, ka thënë Bytyqi për KOHËN, të dielën.

Asisti i realizuar të dielën, për Bytyqin ishte i gjashti. 25-vjeçari ka edhe gjashtë gola të shënuar në 32 ndeshje.

Bytyqi dhe Çekiçi të dielën lëshuan fushën në të njëjtën kohë, në minutën e 65-të. Në vend të Bytyqit u inkuadrua Sokol Çikalleshi që këtë ndeshje nuk startoi.

Për Çekiçin 25-vjeçar ishte goli i pestë i shënuar në 30 paraqitje. Ai ka kontribuar edhe me tri asistime.

Ndërkohë, Çikalleshi në 29 ndeshje ka shënuar dhjetë gola dhe ka asistuar dy herë.

“Çekiçi dhe Çikalleshi më kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë që të ambientohem edhe më shpejtë në skuadër. Sigurisht që tani të tre kemi fituar edhe besimin e trajnerit dhe fal angazhimit të cilin po e kemi në ndeshje po arrijmë që ta shpërblejmë besimin ndeshje pas ndeshje. Jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe mundohemi që gjithmonë të gjejmë njëri-tjetrin në pozita të mira për të shënuar apo edhe për të asistuar. Nuk ka rëndësi se cili asiston apo shënon e rëndësishme është të kuptohemi me njëri-tjetrin”, është shprehur Bytyqi.

Treshja shqiptare ka rol kyç në suksesin e deritashëm të Konyasporit, që synon të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve. Skuadra turke është në vendin e tretë me 61 pikë. Një pozitë më lart është Fenerbahçe, ndërsa në vendin e parë është Trabzonspori. Kampioni dhe nënkampioni i Turqisë paraqiten në kualifikimet e Ligës së Kampionëve në edicionin e ardhshëm. Kampioni nis prej raundit të tretë kualifikues e nënkampioni prej raundit të dytë.

Konyaspori nuk ka garuar më parë në Ligën e Kampionëve.

“Besoj që forma të cilën jemi duke e treguar nuk është rastësi pasi që të tre vazhdimisht punojmë shumë në stërvitje. Në stërvitjet që kemi gjithmonë provojmë diçka të re dhe ato i bartim edhe në ndeshjet zyrtare dhe kjo po del të jetë e suksesshme. Po kuptohemi jashtëzakonisht shumë mirë dhe kjo fal bashkëpunimit të cilin e kemi dhe lidhshmërisë me njëri-tjetrin. Besoj që është çelësi i suksesit në këto takime”, është shprehur Bytyqi.

Bytyqi iu bashkua Konyasportit nga Vikingu norvegjez në janarin e vitit të kaluar. Ai me ekipin turk ka kontratë deri në qershor të vitit 2023. Shpreson në sukses me Konyan.

“Forma në të cilën jam duke kaluar sigurisht që është edhe meritë e dy bashkëlojtarëve të mi dhe pjesës tjetër të ekipit. Shpresoj të vazhdoj ta ndihmoj ekipin dhe të arrij të asistoi e të shënoj edhe në takimet e tjera që të arrijmë synimet që kemi këtë sezon”, ka thënë Bytyqi.

25-vjeçari ftohet rregullisht te Kosova prej vitit 2020. Ka luajtur dhjetë ndeshje. Para se t’i bashkohej Kosovës ishte pjesë e ekipeve zinxhirë të Norvegjisë. Çekiçi e Çikalleshi janë pjesë e Shqipërisë.