Hendbollistët e Trepçës shfaqën nivel të lartë të premten mbrëma në Bosnjë-Hercegovinë, në ndeshjen e parë kundër Vogoshqas. Trepça barazoi me Vogoshqan, 27:27, në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës Evropiane. Pati rastin ta fitonte ndeshjen, por aksionin e fundit nuk e shfrytëzoi më së miri, njësoj siç nuk e shfrytëzoi as skuadra kundërshtare.
Dhe gjithçka ka mbetur e hapur për ndeshjen kthyese. Trepça ishte vendëse në ndeshjen e parë, ndërsa Vogoshqa është vendëse në ndeshjen e dytë, që luhet të dielën prej orës 17:00. Të dy skuadrat u pajtuan që dy ndeshjet e raundit të dytë të Kupës Evropiane të luhen në Bosnjë-Hercegovinë, përkatësisht në Vogoshqa, në afërsi të Sarajevës.
Ekipi fitues i së dielës kalon në rrethin e tretë të EHF European Cup. Trepça ka dështuar ta arrijë këtë sukses në dy raste në të kaluarën, por është afër që të shkruajë histori në fundjavë.
Rezultati i mirë nga ndeshja e parë ka trimëruar mitrovicasit dhe trajnerin e skuadrës, Taib Kabashi, që ka besim të plotë në një tjetër paraqitje të madhe.
“Kur kemi ardhur këtu për të luajtur, përparësia ka qenë në anën e Vogoshqës. Duhet të jemi real. Por, angazhimi maksimal i lojtarëve dhe përgatitja për lojë nga kryesia e deri te personi i fundit në klub, ka qenë e përkryer në çdo aspekt. Mendoj se kemi hyrë në lojë me vetëbesim të madh dhe kjo na ka sjellë rezultat pozitiv. Unë edhe më herët kam thënë që po shkojmë për të luajtur një lojë të mirë, të shfaqim më të mirën dhe të marrim një rezultat pozitiv. Rezultatin pozitiv e arritëm dhe shpresojmë sërish”, ka thënë Kabashi të shtunën për KOHËN.
Kabashi ka treguar se në ndeshjen e parë Trepça e pati përkrahjen e një pjese të shqiptarëve që jetojnë në Sarajevë. Ai shpreson se përkrahja e tyre nuk do të mungojë as të dielën.
Me përmirësimin e disa gabimeve që janë bërë në ndeshjen e parë, Kabashi beson se kualifikimi është shumë i mundshëm.
“Do të shohim ku kemi pasur pikat e dobëta në mbrojtje e në sulm. Ato besoj se do t’i korrigjojmë dhe do të hyjmë të dielën në lojë për rezultat më të mirë, për fitore dhe kualifikim. E dimë që Vogoshqa është skuadër e mirë. Në ndeshjen e parë e patën mungesë lojtarin më të mirë shkaku i lëndimit. Ai do të kthehet të dielën dhe do të kenë gjasa më të mëdha. Por edhe ne do të përgatitemi për një lojë më të mirë”, ka theksuar Kabashi.
Ndeshja e parë ndaj Vogoshqës ishte e pesta në garat evropiane për Trepçën, që është fituese e Kupës së Kosovës për edicionin e kaluar. Në katër të parat pësoi disfatë të thellë, nga Potaissa Turda e Rumanisë dhe Holoni izraelit.
Vogoshqa ka përvojë më të madhe në skenën evropiane. Në edicionin e kaluar ishte fituese e Kupës në Bosnjë-Hercegovinë. Zhvillimi i dy ndeshjeve në shtëpi favorizon skuadrën boshnjake, por gjasat e mitrovicasve për sukses evropian tashmë janë reale.