Sport

Trepça synon që ndaj Pejës të kthehet te fitorja

Pas humbjes së thellë që e pësoi në shtëpi vikendin e shkuar, Trepça synon të kthehet te fitorja në një ndeshje tjetër të vështirë. Trepça pësoi nga Sigal Prishtina (88:53) në ndeshjen ku u zbraz palestra “Minatori” pas reagimeve të tifozëve vendas në shenjë pakënaqësie për paraqitjen e ekipit. E këtë paraqitje zhgënjyese Trepça synon ta kompensojë me një lojë të mirë dhe fitore në ndeshjen derbi të xhiros së 19-të të Superligës së Kosovës në basketboll, kundër skuadrës së Pejës. Ndeshja Peja – Trepça luhet të dielën prej orës 17:00 në palestrën “Karagaçi”.

Humbja nga Prishtina solli edhe ndryshime te Trepça. Trajneri Alek Jonçevski dha dorëheqje pas dy disfatave të thella në shtëpi. Para Prishtinës, Trepça pësoi në Mitrovicë edhe nga Bashkimi me mbi 30 pikë dallim. Ekipin në fillim të javës e mori Ilir Selmani, ndërsa të enjten Trepça njoftoi për angazhimin e turkut Engin Gençoglu. Gençoglu do të debutojë ndaj Pejës, ndërsa basketbollisti Drilon Hajrizi tha se Trepça udhëton për fitore edhe pse nuk do të jetë aspak lehtë përballë pejanëve. Trepça është e katërta me 27 pikë, katër më pak se Peja që është një pozitë më lartë dhe ka pikë të barabarta me Prishtinën e vendit të dytë.

“Kemi bërë ndryshime dhe sigurisht që kemi punuar dhe jemi përgatitur për këtë ndeshje të vështirë. Ka ardhur trajneri i ri dhe sigurisht se të gjithë duam të dalim nga kjo seri negative që na ka kapluar kohët e fundit. Edhe pse gjasat janë të barabarta në derbi ndaj Pejës, ne do të dalim në parket për ta fituar ndeshjen. Ekipi që bën më pak gabime do të fitojë, e ky ekip shpresoj të jemi ne. Ne Pejë udhëtojmë për hapin e kthesës”, është shprehur Hajrizi.

Edhe Peja nuk ka pasur seri të mirë, kurse është kthyer te fitorja në ndeshjen e fundit ndaj Vëllaznimit. Ajo fitore erdhi pas tri humbjeve. Trajneri i Pejës, Can Sevim, thotë se ekipi i tij nuk mund t’i humbë ndeshjet në shtëpi dhe shtoi se me përkrahjen e tifozëve pejanë do ta mposhtin Trepçën.

Ai e ka parasysh se Trepça do të përpiqet të reagojë në këtë përballje, por thotë se janë përgatitur për një gjë të tillë.

“Trepça ka një trajner të ri dhe sigurisht se tani ka dëshirë më të madhe për fitore, gjë që edhe e pres. Lojtarët e Trepçës do të luftojnë për ta dëshmuar veten para trajnerit dhe do të përpiqen të hapin një faqe të re, që do të thotë se do të jetë një duel i vështirë. Mirëpo ne nuk e kemi luksin t’i humbim ndeshjet që i luajmë në shtëpi dhe me përkrahjen e fuqishme të tifozëve tanë, besoj se do të fitojmë”, është shprehur Can.

Të dielën, por prej orës 19:00, luhet një ndeshje tjetër, e cila e mbyll këtë xhiro. Në Suharekë, skuadra e Golden Eagle Yllit kërkon fitoren e 15-të në përballje me Vëllaznimin, që është mposhtur në dy ndeshjet e fundit.

Ylli është lider me 32 pikë, shtatë më shumë se Vëllaznimi që renditet i gjashti.

Edhe të shtunën do të zhvillohen dy ndeshje. Xhiroja do të hapet në kryeqytet me përballjen ndërmjet Prishtinës dhe Bashkimit. Prishtina nuk di për humbje në nëntë ndeshjet e fundit, ndërsa Bashkimi ka një seri prej katër fitoreve. Kjo ecuri ka bërë që Bashkimi të ngrihet ne pozitën e pestë në tabelë me 26 pikë, pesë më pak se Prishtina. Kjo ndeshje luhet prej orës 17:00.

Ndërkohë, nga ora 19:00 në palestrën “Mizahir Isma”, Rahoveci e pret Ponte Prizrenin. Ponte i ka humbur gjashtë ndeshjet e fundit, ndërsa Rahoveci nuk ka shijuar fitore prej xhiros së 11-të. Ka në total dy fitore karshi 16 humbjeve dhe ka tubuar 20 pikë, katër më pak se Ponte Prizreni. Rahoveci është i fundit e Ponte e parafundit.

Superliga – 19

E shtunë

S. Prishtina – Bashkimi (17:00)

Rahoveci – P. Prizreni (19:00)

E diel

Peja – Trepça (17:00)

G.E. Ylli – Vëllaznimi (19:00)


1. G.E. Ylli 18 32

2. S. Prishtina 18 31

3. Peja 18 31

4. Trepça 18 27

5. Bashkimi 18 26

6. Vëllaznimi 18 25

7. P. Prizreni 18 24

8. Rahoveci 18 20