Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, e ka humbur edhe ndeshjen e tretë në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup.
Të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Trepça pësoi nga skuadra skoceze, Caledonia Gladiators.
“Gladiatorët” nga Skocia kanë udhëhequr gjatë gjithë ndeshjes dhe fituan në fund me rezultat 80:76.
Ndeshja në fund ishte interesante, por mysafirët nuk lëshuan epërsinë për fitoren e parë në Grupin H të FIBA Europe Cup.
Trepça në xhiron e parë u mposht në Francë nga Dijoni me rezultat të lartë. Një javë më parë luajti ndeshje të fortë me Ludwigsburgun gjerman, por megjithatë u mposht në “Minatori”. Ndeshja me Caledonian vlerësohej mundësi e madhe për fitoren e parë. Por vetëm në momente skuadra e Adis Beqiragiqit shfaqi formën që do të mjaftonte për fitore në këtë takim.
Çereku i parë ishte thuajse i barabartë dhe përfundoi 26:24 për Caledonian. Në të dytin skocezët bënë shkëputjen, duke e fituar 19:11. “Xehetarët” u kthyen në çerekun e tretë, që përfundoi 23:16.
2:25 minuta para fundit, Trepça u afrua në një pikë, 75:74. Por Larry Thomas humbi dy tentime për tri pikë e më pas Patrick Whelan shënoi treshe për 78:74, kur mbetën edhe 46 sekonda deri në fund.
Larry Thomas realizoi për dy pikë, përkatësisht për rezultatin 78:76, 34 sekonda para fundit. Isaiah Hill nuk ishte i saktë për dy pikë, por mysafirët bënë kërcim në sulm. Më pas Patrick Whelan u faulua dhe ishte i saktë në dy gjuajtje të lira. Kështu ndeshja përfundoi me 80:76.
Malik Johnson u dallua te Trepça me 16 pikë, gjashtë asistime e pesë kërcime. Mouhamed Barro i kishte 10 pikë e 7 kërcime, ndërsa Samuel Hunter realizoi 15 pikë e shtatë kërcime. Desmond Cambridge kontribuoi me 14 pikë e gjashtë kërcime. Mungoi kontributi i lojtarëve vendorë të ekipit mitrovicas.
Mikaile Tmushiq e Erjon Kastrati ishin realizatorët e vetëm prej vendorëve. Të dy i shënuan nga gjashtë pikë.
Pas një jave, Trepça e pret Dijonin francez, prej të cilit humbi 118:73 në ndeshjen e parë. Më pas luan në udhëtim me Ludwigsburgun dhe Caledonian. Por tashmë është pa gjasa për të avancuar nga stinori i rregullt, ku u zhvendos pas eliminimit në Ligën e Kampionëve.