Të etur ishin mitrovicasit për një sukses sportiv. Dy klubet e futbollit nga Mitrovica aktualisht luajnë në kategorinë e dytë. Klubi i hendbollit ka kohë që nuk ka fituar trofe, ndërsa ai i basketbollit për disa vjet ishte në krizë të thellë.
Kjo situatë bëri që në qytetin e minatorëve për kohë të gjatë të mos kishte festë sportive.
Ky fakt ndryshoi të dielën mbrëma. Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit për të pritur basketbollistët e Trepçës. Ata pas orës 22:00 u kthyen nga Peja, ku e kishin fituar Kupën e Kosovës.
Për Trepçën, klubin më të përkrahur në qytetin buzë lumit Ibër, ishte trofeu i parë pas një dekade. Gjatë dekadës së kaluar Trepça ishte përballur me një krizë të rëndë, që gati nuk e kishte dërguar në kategorinë e dytë. Por një riorganizim në vitet e fundit e ka kthyer Trepçën sërish në forcë të basketbollit kosovar.
Dhe tashmë po vijnë edhe sukseset.
Trepça kishte përkrahje të madhe në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Palestra ishte thuajse e mbushur me shikues, ndërsa thuajse të gjithë ishin nga Mitrovica.
Trepça në finalen e fortë dhe dramatike e mposhti Bashkimin e Prizrenit. Bashkimi nuk kishte ndonjë përkrahje të tifozëve në finale.
Tifozëve mitrovicas që ishin në Pejë, në sheshin e qytetit iu bashkuan edhe mijëra të tjerë që bënë pritje të ngrohtë për basketbollistët.
Nuk kishte ndonjë organizim, festa ishte disi kaotike, por kishte shumë emocion e gëzim.
Lojtari më i mirë i Trepçës në finale ishte Drilon Hajrizi. Ai është dashur të ndajë shumë kohë në festën spontane në mbrëmjen e së dielës.
“Po ndihem shumë mirë që pas dhjetë vjetësh kemi arritur që ta rikthejmë Kupën e Kosovës në Mitrovicë. Është ndjenjë jashtëzakonisht e veçantë që ta fitosh këtë trofe. Më të vërtetë është vetëm gjysma e rrugës që kemi bërë, na ka mbetur edhe rruga tjetër për titull të kampionit dhe shpresoj që me punën që jemi duke bërë do t’ia arrijmë edhe këtij qëllimi”, ka thënë Hajrizi.
Hajrizi është kthyer te Trepça pas riorganizimit të klubit dhe rritjes së aspiratave. Dy edicione Trepça përmes plejautit siguroi mbetjen në elitë.
“Nuk ka qenë aspak e lehtë të fitohet ky trofe, ka qenë më të vërtetë shumë e vështirë. Kemi pasur shumë vështirësi, mirëpo jemi angazhuar maksimalisht që të japim më të mirën tonë që ta arrijmë këtë sukses. Sigurisht që duhet të falënderojmë edhe kryesinë e klubit që na ka përkrahur dhe i kanë bërë të gjitha kushtet për të punuar”, ka shtuar Hajrizi.
Edhe përkrahësit e zjarrtë të Trepçës janë shprehur të entuziazmuar për trofeun e parë pas një dekade.
“Po ndihem shumë mirë me këtë sukses të skuadrës së Trepçës, jam shumë i lumtur. Shpresoj që rinia do të përjetojë këto emocione. Mitrovica është vend i sportit, mikpritjes dhe mburrem me popullin tim”, ka thënë një tifoz veteran.
“Dua të falënderoj fillimisht klubin dhe tifozët e qytetit që së bashku arritëm që pas dhjetë vjetëve ta rikthejmë Kupën e Kosovës në Mitrovicë. Trepça do të ketë gjithmonë përkrahjen e ‘Torcidës’ dhe asnjëherë nuk do të jetë vetëm”, ka theksuar një tifoz tjetër.
Basketbollistët e Trepçës të hënën kanë pushuar. Të martën i kthehen punës për të përgatitur ndeshjen e ardhshme kampionale. Menjëherë të premten i pret ndeshja e vështirë me Sigal Prishtinën.
Pas suksesit në Kupë, synimet e klubit e sidomos të tifozëve janë rritur edhe më shumë. Synohet edhe titulli i kampionit, ashtu si një dekadë më parë.