Skuadra e Trepçës synon ta nisë vitin 2024 ashtu siç e mbylli vitin 2023 - me fitore. Në xhiron e parë të këtij viti në Superligën e Kosovës në basketboll, Trepça nuk do të ketë punë aspak të lehtë. Përballet me Sigal Prishtinën, të shtunën prej orës 17:00, në palestrën “Minatori”, në Mitrovicë.
Në fakt kjo është ndeshja kryesore e xhiros së 16-të, që do të zhvillohet gjatë këtij vikendi.
Trepça prin në tabelë me 28 pikë, tri më shumë se Prishtina që renditet e treta. Ekipi nga Mitrovica llogaritet favorit përballë Prishtinës, bazuar në formën që e ka treguar kohët e fundit. Trepça është në seri prej tetë fitoreve dhe ndaj Prishtinës futet për ta regjistruar triumfin e nëntë rresht në Superligë, për t’u forcuar edhe më shumë në krye të klasifikimit.
Në dy ndeshjet e mëparshme të këtij edicioni, Trepça e ka mposhtur Prishtinën me të paktën dhjetë pikë dallim.
Amerikani Brevin Galloway beson se Trepça edhe këtë herë do ta mposhtë Prishtinën, për ta treguar forcën e saj dhe për të konfirmuar synimet e mëdha që i ka këtë edicion. Galloway ka insistuar se Trepça mund ta mposhtë Prishtinën duke pasur parasysh se do ta ketë edhe përkrahjen e fuqishme të tifozëve. Ai thotë se ekipi nga Mitrovica po kalon formë të mirë dhe për këtë arsye duhet të vazhdojë me fitore. Galloway ka shtuar se gjatë pushimit të shkurtër që e kishin në dispozicion kanë punuar mirë dhe janë përgatitur për pjesën e dytë të këtij edicioni.
Te Trepça në këtë ndeshje pritet të debutojë përforcimi më i ri, amerikani Kevin Capers, i cili është prezantuar para një jave.
“Do të jetë një ndeshje e fortë e cila do të luhet në një atmosferë fantastike, të cilën do ta krijojnë tifozët tanë të mrekullueshëm. Jemi në formë të mirë dhe sigurisht që synimi ynë është të vazhdojmë me këtë ritëm, pasi mendoj se jemi në rrugën e duhur për të arritur qëllimet që i kemi. Pres fitore ndaj Prishtinës, por kuptohet me angazhimin maksimal të të gjithë ekipit tonë. Jemi përgatitur mirë gjatë tërë javës dhe me padurim po e presim këtë derbi, të cilin duam ta fitojmë për të mbajtur pozitën e parë në tabelë”, ka thënë Galloway të premten për KOHËN.
Për dallim prej Trepçës, Prishtina nuk ka bërë asnjë ndryshim në skuadër së fundi dhe në Mitrovicë udhëton për fitore. Kështu ka insistuar trajneri Albert Sylejmani, ndonëse ai ka pranuar se nuk do të jetë lehtë përballë Trepçës. Sylejmani ka vlerësuar lart Trepçën, ndërsa ka treguar se Prishtina edhe në këtë ndeshje do të jetë pa kapitenin Dardan Berisha, i cili ende nuk është rikuperuar nga lëndimi.
“Prishtina në secilën ndeshje e ka synim për të marrë rezultat pozitiv. Por, e kemi parasysh se Trepça ka ekipin më të fortë dhe më të kompletuar në ligë dhe nuk do të jetë lehtë. Ne kemi mungesa, ku duhet theksuar ajo e kapitenit Dardan Berisha. Por, megjithëkëtë, ne do të dalim të japim më të mirën nga vetja për të bërë një paraqitje sa më të mirë, ndonëse do të jetë shumë vështirë”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Albert Sylejmani.
Dueli tjetër i së shtunës është ai që luhet prej orës 19:00 në palestrën “Sezai Surroi”, në Prizren, ku skuadra e Bashkimit e pret Vëllaznimin.
Edhe Bashkimi ka bërë ndryshime në ekip pas serisë negative dhe shpreson të kthehet te fitorja në këtë xhiro pas një kohe të gjatë. Në fakt, Bashkimi i ka humbur pesë ndeshjet e fundit, ndërsa në total ka vetëm një fitore në dhjetë xhirot e fundit. Renditet i parafundit në tabelë me 19 pikë, tri më pak se Vëllaznimi që zë vendin e pestë. Bashkimi ka larguar amerikanët Brad Waldow e Grant Lozoya për të sjellë Jalan McCloudin dhe Will Danielsin, që pritet të debutojnë kundër Vëllaznimit.
Skuadra gjakovare, Vëllaznimi, në katër ndeshjet e fundit ka vetëm një fitore.
Xhiroja e 19-të do të vazhdojë të dielën, me dy ndeshjet e tjera që janë në program. Golden Eagle Ylli llogaritet favorit i madh përballë Istogut, në ndeshjen që nis në orën 17:00 dhe luhet në Suharekë. Ylli është i katërti në tabelë me 24 pikë, ndërsa Istogu zë vendin e fundit me vetëm 16 pikë të mbledhura dhe një ndeshje të fituar deri më tani.
Prej orës 19:00, të dielën, Proton Cable Prizreni përballet me kampionen në fuqi, Pejën. Peja është në seri prej dy fitoreve dhe ka shtuar në ekip amerikanin Deandre Davis, që do të debutojë në këtë ndeshje. Ndërkohë, Prizreni nuk ka bërë ndonjë ndryshim në ekip dhe renditet i gjashti në tabelë me 20 pikë, gjashtë më pak se Peja që është e dyta.
Superliga – XVI
E shtunë
Trepça – S. Prishtina (17:00)
Bashkimi – Vëllaznimi (19:00)
E diel
G.E. Ylli – Istogu (17:00)
P.C. Prizreni – Peja (19:00)
1. Trepça 15 28
2. Peja 15 26
3. S. Prishtina 15 25
4. G.E. Ylli 15 24
5. Vëllaznimi 15 22
6. P.C. Prizreni 15 20
7. Bashkimi 15 19
8. Istogu 15 16