Pasi e mbylli aventurën evropiane me fitore, skuadra e Trepçës synon një tjetër sukses në Superligën e Kosovës në basketboll. Skuadra nga Mitrovica kërkon ta mposhtë kampionen në fuqi, Pejën, në derbin e xhiros së dhjetë.
Dueli i zjarrtë mes Trepçës dhe Pejës zhvillohet të shtunën prej orës 17:00 në palestrën “Minatori”, në Mitrovicë. Te Trepça janë të motivuar për këtë ndeshje, pasi të mërkurën mbrëma shënuan fitoren e vetme në kuadër të stinorit të rregullt të FIBA Europe Cup. Mitrovicasit triumfuan 76:68 ndaj ekipit nga Franca, Gravelines Dunkerque, për ta mbyllur fazën e grupeve me një fitore e tri humbje.
Amerikani Brevin Galloway insiston se Trepça është gati për derbin e madh me Pejën, ndërsa pret edhe përkrahjen e madhe të publikut mitrovicas.
Trepça është e dyta në tabelë me 14 pikë, një më pak se Peja që është lidere. Peja ka vetëm një humbje deri më tani në kampionat.
Galloway thotë se Trepça është gati t’ia shkaktojë Pejës humbjen e dytë, ndonëse pranon se nuk do të jetë lehtë. Ai premton se do të angazhohen maksimalisht për ta regjistruar fitoren e shtatë këtë edicion.
“Pres një ndeshje të fortë, të cilën do ta shijojnë shikuesit në maksimum. Sigurisht, synimi është të fitojmë dhe do të luftojmë deri në fund për të arritur qëllimin që e kemi. Jemi gati për këtë derbi dhe me padurim po e presim ditën e ndeshjes”, është shprehur Galloway.
Për dallim prej Trepçës, Peja pësoi humbje në ndeshjen e fundit të Grupit H në kuadër të FIBA Europe Cup. U mposht nga Spojnia Stargardi i Polonisë për ta mbyllur aventurën në pozitën e tretë dhe për t’u eliminuar nga kjo garë.
Eliminimi në garat evropiane ka motivuar Pejën për të vazhduar me rezultate të mira në kampionat. Kështu ka insistuar amerikani Jay Jay Chandler. Lideri i ekipit pret që Peja të reagojë me fitore ndaj Trepçës pas humbjes nga ekipi polak.
Te Peja në këtë ndeshje do të paraqitet edhe fundori Larry Thomas, i cili ishte pjesë e skuadrës edhe edicionin e shkuar duke e ndihmuar ta fitojnë titullin e kampionit. Pikërisht në “Minatori”, Peja kishte festuar titullin, pas fitores dramatike ndaj Trepçës.
“Jemi të përgatitur. Do ta shijojmë ndeshjen dhe do të japim maksimumin për të shënuar fitoren e radhës në kampionat”, ka thënë Chandler.
Me derbi edhe do të hapet xhiroja e dhjetë e Superligës, ndërsa të shtunën do të luhet edhe një ndeshje tjetër. Në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, skuadra e Bashkimit përballet me Istogun prej orës 19:00. Bashkimi është në seri negative dhe ndaj Istogut kërkon të kthehet te fitorja. Në pesë ndeshjet e fundit Bashkimi nuk di për fitore dhe ka rënë në pozitën e gjashtë në tabelë me 12 pikë, dy më shumë se Istogu që është i fundit. Istogu ka vetëm një fitore këtë edicion, të cilën e ka arritur pikërisht ndaj Bashkimit në ndeshjen e parë.
Xhiroja do të vazhdojë të dielën me dy ndeshje të tjera. Prej orës 17:00, Proton Cable Prizreni e pret Vëllaznimin, ekip që është në formë fantastike, me pesë fitore rresht. Zë vendin e katërt në tabelë me 14 pikë, ndërsa Prizreni është i parafundit në tabelë me 10 pikë të mbledhura. Dueli i fundit i xhiros së dhjetë është ai ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Sigal Prishtinës, që luhet në Suharekë prej orës 19:00. Ylli është në seri prej katër fitoreve, ndërsa Prishtina ka dy fitore e po aq humbje në katër xhirot e fundit.
Superliga – 10
E shtunë
Trepça – Peja (17:00)
Bashkimi – Istogu (19:00)
E diel
P.C. Prizreni – Vëllaznimi (17:00)
G.E. Ylli – S. Prishtina (19:00)
1. Peja 8 15
2. Trepça 8 14
3. G.E. Ylli 9 14
4. Vëllaznimi 9 14
5. S. Prishtina 8 13
6. Bashkimi 9 12
7. P.C. Prizreni 8 10
8. Istogu 9 10