Sport

Trepça e motivuar për ta ndalur serinë fantastike të Yllit

Pasi debutoi me fitore në krye të Trepçës, trajneri nga Turqia, Engin Gençoglu synon fitore edhe ndaj një kundërshtari tjetër të madh në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll.

Trepça vikendin e kaluar ngadhënjeu në udhëtim te Peja (91:83). Tani mitrovicasit e presin kampionin në fuqi, Golden Eagle Yllin.

Ndeshja Trepça - Ylli zhvillohet të shtunën prej orës 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë dhe është derbi i xhiros së 20-të. Ylli është në seri prej 15 fitoreve, të cilën Trepça po synon t’ia ndërpresë. Turku Gençoglu mori drejtimin e ekipit nga Mitrovica pak ditë para ndeshjes me Pejën, ndërsa është trajneri i tretë i huaj këtë edicion në krye të ekipit pas Lubomir Minchevit e Alek Jonçevskit.

Aktualisht Trepça është e katërta në tabelë me 32 pikë, katër më pak se Ylli që mbanë pozitën e parë. Trajneri i Trepçës, Gençoglu ka pranuar të premten se ndaj Yllit e kërkon fitoren. Ai dëshiron që triumfin ta festojë në palestër së bashku me tifozët. Në dy ndeshjet e stinorit vjeshtor, Ylli e ka mposhtur Trepçën.

“Sigurisht që duam ta fitojmë këtë ndeshje. Kemi punuar mirë gjatë kësaj jave dhe besoj në ekipin tim. Ndaj Yllit është ndeshja ime e parë që e luaj në shtëpi para publikut tonë dhe jam shumë i emocionuar që t’i takoj tifozët. Jemi të motivuar për fitore”, është shprehur Gençoglu.

Tek Ylli kanë pranuar se dueli ndaj Trepçës nuk do të jetë aspak i lehtë. Suharekasit megjithatë, në Mitrovicë udhëtojnë për fitoren e radhës.

Fundori Valon Bunjaku insiston se Ylli mund ta regjistrojë edhe fitoren e 16-të për ta zgjatur serinë e suksesshme të cilën e nisi në xhiron e pestë.

“Do të dalim për ta fituar këtë ndeshje dhe për ta vazhduar serinë e fitoreve në 16 ndeshje. Natyrisht, nuk do të jetë lehtë për shkak se Trepça luan në shtëpi dhe ka ekip të mirë, por jemi përgatitur gjatë javës dhe jemi gati për ta treguar forcën tonë. Me këtë fitore do të motivoheshim edhe më shumë për ndeshjet tjera të kampionatit, pasi duam ta mbajmë pozitën aktuale deri në fund”, është shprehur Bunjaku.

Kjo nuk është ndeshja e vetme që do të zhvillohet të shtunën. Është dueli ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Vëllaznimit që do ta hap xhiron e 20-të. Kjo ndeshje luhet në Suharekë dhe nis në orën 17:00. Është duel i skuadrave që synojnë plejofin dhe largimin nga pozita e parafundit të tabelë, që dërgon në plejaut. Aktualisht pozitën e parafundit e mban Vëllaznimi me 26 pikë, sa i ka edhe Ponte Prizreni por që zë vendin e gjashtë për shkak të koshdallimit më të mirë. Skuadra nga Gjakova nuk di për fitore në tri ndeshjet e fundit, ndërsa Ponte Prizreni xhiron e shkuar është kthyer te fitorja pas një serie prej gjashtë humbjeve.

Të dielën do të zhvillohen dy ndeshje të kësaj xhiroje, ndërsa vëmendja do të jetë në palestrën “13 Qershori” në Suharekë. Prej orës 17:00, Bashkimi e pret Pejën, skuadra këto që pësuan humbje në xhiron e fundit. Peja ka rënë në pozitën e tretë me 32 pikë, gjashtë më shumë se Bashkimi që renditet i pesti dhe po lufton për ta siguruar një vend në plejof. Deri në fund të pjesës së rregullt kanë mbetur edhe nëntë xhiro.

Ndërkohë, prej orës 19:00, skuadra e Rahovecit në palestrën “Mizahir Isma” e pret Sigal Prishtinën, e cila llogaritet favorite absolute në këtë përballje. Prishtina është në seri prej dhjetë fitoreve dhe ka 33 pikë në vendin e dytë, ndërsa Rahoveci renditet i fundit me 21 pikë.

Superliga – 20

E shtunë

P. Prizreni – Vëllaznimi (17:00)

Trepça – G.E. Ylli (19:00)

E diel

Bashkimi – Peja (17:00)

Rahoveci – S. Prishtina (19:00)

1. G.E. Ylli 19 34

2. S. Prishtina 19 33

3. Peja 19 32

4. Trepça 19 29

5. Bashkimi 19 27

6. P. Prizreni 19 26

7. Vëllaznimi 19 26

8. Rahoveci 19 21