Sport

Trepça ’89, sigurt drejt kthimit në elitë

Trepça '89 është në rrugë të mbarë që të kthehet në Superligën e Kosovës në futboll, vetëm një vit pas largimit nga elita.

“Minatorët” janë liderë të Grupit A të Ligës së Parë me 11 pikë më shumë se Istogu i vendit të dytë. Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe 11 xhiro.

Trajneri i 89-shit, Shpëtim Idrizi, ka deklaruar se janë afër realizimit të synimeve që i kanë pasur qysh në fillim të kampionatit. Idrizi e udhëhoqi ekipin nga Mitrovica edhe në Superligë në vitin e kaluar. Ai kërkon që në skuadër të jenë me këmbë në tokë deri në fund.

“Jam i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve si në stinorin vjeshtor, ashtu edhe në stinorin pranveror që ka nisur, ku në dy ndeshje kemi arritur dy fitore. Jemi përforcuar në fazën e sulmit, aty ku kemi pasur nevojë. Jemi shkëputur plus 11 pikë nga vendi i dytë, por ende asgjë nuk ka përfunduar, pasi edhe në vitin e kaluar në Superligë kemi qenë tetë pikë larg ekipeve të rrezikuara dhe fatkeqësisht në fund kemi rënë nga Superliga. Kështu që duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Dihet që objektivi ynë është Superliga”, u shpreh Idrizi.

Ai thekson se plani që ka klubi është që të arrijnë suksese edhe në Superligë edicionin e ardhshëm.

“Kemi bërë revolucion brenda ekipit. 70 për qind e skuadrës është ndryshuar. Kemi marr lojtarë të rinj, perspektivë, të cilët kanë ambicie të mëdha. Iu kemi qasur kampionatit me seriozitetin më të madh dhe mund të them që Trepça ’89 këtë vit është vetëm kalimtare në Ligën e Parë. Për vetë faktin që me shumicën e lojtarëve kemi nënshkruar kontrata afatgjate, tregon seriozitetin e klubit. Po ashtu presidenti ka investuar shumë edhe në objekt, ku secili lojtar që është nga jashtë Mitrovicës banon këtu, e ka dhomën e vet dhe të gjitha kushtet e tjera. Kjo tregon se sa jemi profesionistë në këtë aspekt. Ne realisht jemi përgatitur edhe për Superligë”, ka shtuar Idrizi.

Kapiteni Ardian Muja dhe golashënuesi më i mirë i ekipit me dhjetë gola, Rilind Nimani, thonë se me punë dhe përkushtim nga të gjithë në klub janë afër të rikthehen në Superligë.

“Mendoj që jemi duke shkuar në rrugë të duhur drejt rikthimit në Superligë. Kemi bërë një punë të mirë si stafi i trajnerëve, kryesia e klubit dhe ne lojtarët dhe mendoj që puna e mirë po na shpaguhet. Jemi duke i marrë ndeshjet me radhë, kemi shkëputje nga vendi i dytë, por ne do të jemi të fokusuar vetëm te ndeshja e radhës”, deklaroi Muja.

“Besoj që jemi në rrugë të mirë drejt ambicieve të klubit. Harmonia në klub është shumë e mirë, po bashkëpunojmë si me lojtarët e po ashtu edhe me trajnerët dhe gjithçka është duke shkuar mirë. Krejt çka na mbetet është të vazhdojmë të punojmë dhe ta mbajmë të njëjtën tempo që në fund të rikthehemi në Superligë”, theksoi mesfushori Namani.

Kujdes më të madh kërkon futbollisti me përvojë, Samir Sahiti.

“Pozita aktuale është një lloj garancie, por nuk duhet të jetë vetëkënaqësi pasi 11 pikë nuk janë shumë. Dihet që ka edhe shumë pikë në lojë. Kështu që ne po punojmë vazhdimisht që ta përmirësojmë lojën tonë dhe derisa nuk e sigurojmë matematikisht rikthimin në Superligë, nuk do të kënaqemi”, tha Sahiti.

Te Trepça ‘89 thonë se po mendojnë seriozisht edhe për Akademinë e klubit.

Në afërsi të fushës buzë lumit “Ibër”, klubi ka ndërtuar një objekt për vendosjen e lojtarëve dhe për shërbime të tjera. Në klub thonë se objekti është investim i kryetarit Abedin Zeka.

Nënkryetari i Trepçës ’89, Arsim Islami, ka treguar se lojtarët e huaj dhe ata që nuk janë nga Mitrovica banojnë në këtë objekt.

“Investimi në objektin e klubit është i kryetarit Abedin Zeka dhe i ka kushtuar rreth 250 mijë euro. Pothuajse të gjitha punimet janë kryer dhe kanë mbetur edhe disa detaje të vogla. Në katin e dytë janë shtatë dhoma gjumi, salloni, kuzhina, tualeti në secilën dhomë, kurse në katin e parë janë katër zhveshtore. Trepça ’89 po mendon edhe për Akademinë dhe të ardhmen e shumë talenteve që ka brenda ekipit. Lojtarët e huaj dhe lojtarë që janë jashtë Mitrovicës banojnë këtu, ku përveç fjetjes, e kanë edhe ushqimin dhe gjërat e tjera që iu duhen. E dimë që as ekipet e Superligës nuk i kanë këto kushte. Ato janë të fokusuara që të paguajnë lojtarë me shuma marramendëse dhe nuk mendojnë për të ardhmen. Por ne po mendojmë për të ardhmen dhe do të vazhdojmë të punojmë”, u shpreh Islami.