Sport

Trepça ’89 me mision të vështirë në Suharekë

Foto: KF Ballkani / Facebook

Futbollistët e Trepçës ’89 nuk kanë opsion tjetër veç fitores në ndeshjen e radhës që do ta luajnë në udhëtim kundër Ballkanit. Kapiteni i ekipit nga Mitrovica, Leart Emini, ka thënë për gazetën se Trepça ’89 nuk guxon të lejojë edhe një humbje të radhës pas saj që e përjetoi në shtëpi nga Drita vikendin e shkuar. Ballkani është në pozitën e tretë me 46 pikë dhe po lufton për titullin e kampionit, derisa Trepça ’89 synim e ka mbijetesën. Është e nënta në tabelë me 27 pikë, pozitë që edicionin e ardhshëm dërgon në një rang më të ulët garash. Kjo ndeshje luhet të dielën (17:00) në Suharekë dhe i takon xhiros së 25-të të Superligës. Trepça ’89, deri në fund të këtij edicioni kur kanë mbetur edhe nëntë xhiro, do të mundohet të grumbullojë sa më shumë pikë për të siguruar mbetjen në Superligë edhe edicionin tjetër, që e ka edhe synim.

“Kemi përballë një kundërshtar shumë të vështirë, por synimi ynë është të shkojmë atje dhe të synojmë të marrin fitoren e parë pas rifillimit të garave. Nuk do të jetë lehtë, por jemi maksimalisht të përgatitur dhe motivuar. Për ne çdo pikë është e rëndësishme dhe për këtë arsye do ta bëjmë të pamundurën që të dalim të pamposhtur”, ka paralajmëruar Emini.

Ballkani, pas kualifikimit në finalen e Kupës së Kosovë, ka kthyer fokusin në kampionat, saktësisht te ndeshja kundër Trepçës ’89. Ballkani, për herë të parë në histori të klubit, arriti kalimin në finalen e Kupës së Kosovës, pasi në serinë gjysmëfinale e eliminoi Feronikelin. Në finale, Ballkani do të përballet me Prishtinën, ndeshje kjo që do të luhet më 29 korrik. Sa i përket ndeshjes me Trepçën ’89, te Ballkani premtojnë të vazhdojnë me lojëra të mira. Prejse ka rifilluar futbolli në Kosovë, pas pauzës prej gati tre muajsh shkaku i pandemisë, Ballkani ka zhvilluar katër ndeshje në të gjitha garat – dy në kupë dhe dy në kampionat. Në të gjitha këto ndeshje ka barazuar, ku në tri prej tyre nuk ka shënuar gol, derisa Trepça ’89 në dy ndeshjet kampionale ka një barazim dhe një humbje. Trajneri i Ballkanit, Munishi, e vlerëson si shumë të vështirë duelin me Trepçën ’89, që e sheh si një ekip të fortë.

“Kundër Trepçës ’89 pres një angazhim të madh prej lojtarëve, si në çdo ndeshje tjetër. Mbi të gjitha besoj se do të jetë një përballje e mirë për shkak se kemi të bëjmë me një kundërshtar të fortë. Të dyja ekipeve na duhet fitorja dhe do të shohim në fund”, ka thënë Munishi. “Do të jetë shumë ndeshje e vështirë, për shkak se Trepça ’89 luan mirë dhe padrejtësisht e humbi duelin e fundit me Dritën”.

Njëherësh, kjo përballje mbetet edhe më interesantja e kësaj xhiroje. Megjithatë, të dielën do të luhet edhe një derbi tjetër. Në stadiumin “Rexhep Rexhepi” të Drenasit, Feronikeli e pret skuadrën e Llapit, ndeshje që gjithashtu nis në orën 17:00. Pas eliminimit nga garat e kupës, Feronikeli do të luftojë deri në fund të këtij edicioni për kreun, përkundër që zë vendin e pestë në tabelë me 40 pikë, 12 më pak se Drita që është lidere dhe ka një ndeshje më shumë të luajtur.

“Presim ndeshje të vështirë, sepse Llapi ka skuadër të mirë. Ne do të koncentrohemi maksimalisht dhe ndeshjes do t’i qasemi me seriozitetin më të madh. Ka ende shumë pikë në lojë dhe ne nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi, por do të luftojmë deri në fund”, ka thënë trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani.

Ndërkohë, Llapi ka tri pikë më pak se Feronikeli dhe do të mundohet ta lërë pas vetes humbjen e xhiros së shkuar nga Drenica në shtëpi. Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se ekipi i tij do të shkojë të tregojë një lojë të mirë për t’iu kthyer rezultateve pozitive.

“Do të shkojmë të luajmë lojën tonë, duke e ditur se përballë kemi kampionin në fuqi. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne nuk kemi se çfarë të humbim”, është shprehur Batatina.

Të shtunën, në kuadër të kësaj xhiroje, zhvillohen tri ndeshje, ku në orën 17:00 takohen Drenica – Flamurtari e Gjilani – Vushtrria. Ndërsa, prej orës 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, skuadra e Prishtinës e pret Dukagjinin. Prishtina është e dyta në tabelë me 47 pikë, derisa Dukagjini është i fundit dhe qysh tash mund të konsiderohet si anëtar i Ligës së Parë.

 

Superliga – XXV

E shtunë

Drenica – Flamurtari (17:00)

(Arbitra: S. Isufi, B. Morina, E. Bicaj, T. Maloku)

Gjilani – Vushtrria (17:00)

(Arbitra: B. Jahmurataj, D. Preniqi, G. Mehmeti, B. Ajeti)

Prishtina – Dukagjini (19:00)

(Arbitra: G. Shala, I. Kabashi, H. Osmani, Sh. Murtezi)

E diel

Ballkani – Trepça ’89 (17:00)

(Arbitra: G. Nuza, F. Berisha, B. Selimaj, A. Shala)

Feronikeli – Llapi (17:00)

(Arbitra: D. Çaka, E. Baliqi, F. Abrashi, I. Ceroviku)