Sport

Tre titujt e Tmushiqit në Kosovë

Para fillimit të edicionit 2021/22, Mikaile Tmushiq u kthye në Kosovë dhe firmosi me Golden Eagle Yllin, pas një edicioni në Mal të Zi te skuadra e Podgoricës. Vendimi doli të jetë i duhuri për reprezentuesin e Kosovës.

Tmushiq me Yllin e Suharekës e fitoi titullin e kampionit të Kosovës në basketboll. Këtë sukses në të kaluarën e kishte arritur edhe me Sigal Prishtinën dhe Bashkimin e Prizrenit.

Tre tituj, fundori Tmushiq i ka fituar brenda pesë edicioneve të kaluar në Kosovë.

Ai në Kosovë u transferua në vitin 2016 te Bashkimi, për ta vazhduar më pas te Prishtina e tek Ylli.

Ylli javën e shkuar e mbrojti titullin e kampionit në Superligë, kurse Tmushiq u zgjodh MVP i serisë finale të plejofit. Në ndeshjen e katërt që u luajt të enjten në Mitrovicë, Ylli triumfoi me shifrat 70:64 për ta siguruar titullin me rezultatin e përgjithshëm 3:1. Tmushiqi kontribuoi me 16 pikë të shënuara.

Tmushiqi ndihet krenar me sukseset e arritura në elitën e basketbollit kosovar. Ai thotë se iu bashkua Yllit për ta ndihmuar ekipin që ta mbrojë titullin e kampionit, të cilin e kishte fituar vitin e shkuar për herë të parë në histori të klubit. Pranon se nuk ishte aspak lehtë, duke shtuar se në përgjithësi konkurrenca ishte shumë e fortë dhe pothuajse të gjitha skuadrat ishin të forcuara.

“Po, ky është titulli im i tretë me tri ekipe të ndryshme dhe atë brenda pesë edicioneve. Ndoshta është diçka që nuk e kam parashikuar kur kam ardhur. Këtë vit kam besuar se do ta fitojmë titullin, sepse kemi pasur një ekip shumë të mirë, atmosferë fantastike brenda ekipit dhe një trajner fantastik. Pra, gjithçka ishte perfekte dhe çdo gjë ka funksionuar si është më së miri. Kemi punuar të gjithë shumë gjatë tërë sezonit, që në fund na u shpërblye me titullin e kampionit që mendoj se është plotësisht i merituar”, ka thënë Tmushiqi për KOHËN, të dielën. “Në përgjithësi ka qenë një edicion shumë i mirë, me ekipe të forta dhe aspak nuk ka qenë e lehtë. Ndihem krenar dhe ndoshta me fat që gjatë këtyre viteve po jam pjesë e ekipeve që po fitojnë trofe. Jam shumë i lumtur”.

29-vjeçari, Tmushiq, këtë edicion e ka mbyllur me dy trofe të fituar tek Ylli. Edhe pse humbi në finalen e Ligës Unike, skuadra nga Suhareka triumfoi në Superkupën Mbarëkombëtare.

Edhe në atë turne të Superkupës, Tmushiqi u zgjodh MVP, përkatësisht lojtari më i vlefshëm. Krahas titujve, ai ka fituar edhe Kupën dhe Superkupën e Kosovës me Prishtinën.

“Sa i përket trofeut të MVP-së të plejofit të Superligës, realisht nuk e kam pritur që unë do të jem lojtari që do ta fitoj. Shumë lehtë kanë mundur ta fitojnë edhe bashkëlojtarët e tjerë të ekipit, sepse edhe ata patën paraqitje fantastike. Kushdo që do ta kishte fituar do të ishte plotësisht e merituar”, u shpreh Tmushiqi, i cili foli edhe për edicionin e vështirë që ishte për shkak se krahas kampionatit vendor, Ylli u paraqit edhe në Ligën Unike.

“Edicioni ishte i vështirë dhe shumë i gjatë, siç thashë me ekipe shumë të mira. Kishte shumë ndeshje për shkak se luajtëm edhe në Ligën Unike dhe nuk ishte aspak lehtë siç dukej nga jashtë. Është dashur të punojmë shumë, të sakrifikojmë dhe të angazhohemi në secilën ndeshje për ta siguruar titullin e kampionit”.

Edhe gjatë stinorit të rregullt, të cilin Ylli e mbylli në pozitën e parë, Tmushiqi ishte në mesin e lojtarëve më të dalluar te suharekasit. Ai luajti me një mesatare prej 15 pikëve, 5 kërcimeve e 3 asistimeve për ndeshje.

Sa i përket edicionit të ardhshëm, Tmushiqi e lë të hapur çdo mundësi, edhe atë për të qenë sërish pjesë e skuadrës së Yllit.

“Fillimisht vetëm dua të shkoj në shtëpi te familja ime dhe të pushoj pas këtij edicioni të mbushur me ndeshje”, shtoi Tmushiq.

“Pas kësaj do të bisedoj me menaxhmentin e Yllit për t’i parë planet që i ka klubi për kampionatin e ardhshëm dhe pastaj do të shohim”.