Trajneri i Manchester Unitedit, Erik ten Hag, të premten në një intervistë për mediumin holandez “Algemeen Dagblad” ka treguar se paraqitja jo e mirë e Unitedit në edicionin 2023/2024 është ndërlidhur me lëndimet e shumta të futbollistëve.
“Sezonin e kaluar kemi pasur vazhdimisht lëndime të lojtarëve në të njëjtat pozicione, të gjithë në mbrojtje. Në një moment nuk kishim pothuajse asnjë mbrojtës në dispozicion. Kur ne filluam, Unitedi nuk kishte fituar asnjë trofe për gjashtë vjet dhe kjo nuk ishte se skuadra nuk kishte trajner të mirë. Ne ishim dhe jemi ende në atë proces ndërtimi. Kjo ishte pikërisht arsyeja pse ne e patëm kaq të vështirë të merreshim me ato lëndime. Nëse drejtuesit e Unitedit gjejnë dikë nesër që mendojnë se është më i mirë, atëherë unë do të shkoj. Është kaq e thjeshtë. Këto janë mekanizmat në futboll që duhet t’i respektosh”, deklaroi Ten Hag.
Holandezi javë më parë e rinovoi kontratën me skuadrën angleze.
54-vjeçari do të jetë trajner i Unitedit deri në verën e vitit 2026. Ai ka të fituar dy trofe.
Hjulmand jep dorëheqjen nga posti i selektorit
Kasper Hjulmand nuk do të jetë selektor i përfaqësueses së Danimarkës pas ecurisë pa fitore në “Euro 2024”.
Federata e Futbollit të Danimarkës të premten njoftoi për largimin e Hjulmandit dhe bëri të ditur se Morten Wieghorst, i cili ishte ndihmës i Hjulmandit nga viti 2020 dhe ish-selektor i U21 të Danimarkës, do ta marr detyrën e selektorit të përkohshëm deri në vitin 2025.
Pas katër vjetësh në krye, Hjulmand në një deklaratë ka thënë se përfaqësuesja kishte nevojë për energji të re dhe kishte kërkuar që kontrata e tij, e vlefshme edhe për një vit tjetër, të ndërpritej.
“Kam dhënë gjithçka që kam pasur për të arritur sukses dhe për t’i bërë njerëzit të mblidhen rreth ekipit. Të përfaqësosh vendin është absolutisht gjëja më e madhe që mund të imagjinoj. Mendoj se do të jetë më mirë për ekipin që të vijë një fytyrë e re me ide të reja, që mund të shkruajë një kapitull të ri për këtë ekip të mrekullueshëm. Prandaj është më mirë që dikush tjetër të udhëheqë ekipin. Nuk ka të bëjë me mua. Ka të bëjë me atë që është më e mira për ekipin”, deklaroi Hjulmand.
52-vjeçari ishte selektor i Danimarkës nga vitit 2020. Në 54 ndeshje me Danimarkën ka arritur 32 fitore, tetë barazime dhe 14 humbje.
PSG-ja hap kuletën për talentin portugez
Mesfushori portugez, Joao Neves, është duke insistuar për kalimin te skuadra franceze Paris Saint-Germain.
Gjiganti francez është në bisedime me skuadrën e Benficas për klauzolën e Nevesit. Klauzola e portugezit është 120 milionë euro, por drejtuesit e Paris Saint-Germainit nuk janë duke dëshiruar që të paguajnë atë.
Parisi ka dërguar ofertë prej 60 milionë euro për 19-vjeçarin, por Benfica e ka refuzuar atë. Neves ka shënuar tri gola dhe ka asistuar dy herë në 55 ndeshje në të gjitha garat e edicionit të kaluar.
Ai me klubin elitar të Portugalisë ka kontratë deri në qershor të vitit 2028. Për përfaqësuesen e Portugalisë ka luajtur në nëntë ndeshje.
Transferime: N’Golo Kante mund të kthehet në Premier League
Mesfushori francez, N’Golo Kante, nga edicioni i ardhshëm mund të luajë sërish në elitën e futbollit anglez. Për Kanten ka shprehur interesim skuadra e West Ham Unitedit.
Klubi anglez ka dërguar ofertë për mesfushorin e pandalshëm, por marrëveshja me skuadrën arabe Al-Ittihad është vështirë që të arrihet, ka raportuar të premten “The Guardian”.
Al-Ittihadi është duke e konsideruar francezin Kante si njërin ndër futbollistët më të rëndësishëm për skuadrën në edicionin e ri në Arabinë Saudite.
Kante ishte pjesë e Francës në Kampionatin Evropian dhe shkëlqeu.
Kante me Al-Ittihadin ka kontratë edhe për dy vjet. Te skuadra arabe u transferua në vitin 2023 nga Chelsea si futbollist i lirë. Ka luajtur edhe për Leicester Cityn.
Roberto do të largohet nga Barcelona
Mbrojtësi i krahut, Sergio Roberto, do të largohet nga skuadra e Barcelonës. Të premten eksperti i transferimeve Fabrizio Romano ka njoftuar se gjiganti katalonjas nuk do t’ia vazhdojë kontratën Robertos.
Kontrata me Barcelonën i ka përfunduar më 30 qershor. Roberto karrierën dëshiron që ta vazhdojë në Premier League. Por edhe disa skuadra nga La Liga, si Sevilla, Girona dhe Valencia, janë të interesuara për 32-vjeçarin.
Mësohet se drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, i kishte thënë Robertos se klubi po llogariste në të për edicionin e ardhshëm dhe caktoi një afat deri më 10 gusht për t’ia bërë një ofertë rinovimi.
Megjithatë, Roberto nuk është kthyer në klub për fillimin e stërvitjeve nën drejtimin e trajnerit të ri të Barcelonës, Hansi Flick, dhe tani është i gatshëm të dëgjojë ofertat nga klube të ndryshme.
Roberto e ka kaluar gjithë karrierën te Barcelona. Ai është zhvilluar si futbollist në akademinë “La Masia” të Barcelonës.
Me Barçën në 373 ndeshje të zhvilluara ka shënuar 19 gola dhe ka bërë 43 asistime.