Sport

Transfere, Cannavaro trajner i Udineses

Fabio Cannavaro

Udinese të hënën ka emëruar trajnerin e ri të skuadrës.

Legjenda italiane Fabio Cannavaro do ta udhëheqë skuadrën e Udineses deri në fund të këtij edicioni. 
Cannavaro e zëvendëson Gabriele Cioffin në postin e trajnerit.

Prezantimi i Cannavaros bëhet të martën. 

Cannavaro është prej emrave të mëdhenj të futbollit italian. Për Italinë i ka luajtur 136 gola si mbrojtës i qendrës. Si trajner ende nuk ka arritur nivelet që kishte si lojtar. Në Itali ka punuar te Benevento, ndërsa ka drejtuar Kinën, skuadra në këtë vend dhe në Arabi Saudite.


Liverpooli, Man. Utd dhe Arsenali në garë për Mendyn

Mbrojtësi i Real Madridit, Ferlan Mendy, mund të paraqitet në Premier League të Anglisë nga edicioni i ardhshëm. Interesim për mbrojtësin francez kanë shprehur Liverpooli, Manchester Unitedi dhe Arsenali, raporton “Mundo Deportivo” të hënën. Mendy me Realin ka kontratë deri në vitin 2025. Drejtuesit e klubit madrilen nuk i kanë ofruar ende kontratë të re, pasi synimi i tyre është transferimi i Alphonso Daviesit të Bayern Muenchenit. 
28-vjeçari Mendy iu bashkua Realit në verën e vitit 2019 nga skuadra e Lyonit. Këtë edicion në 32 ndeshje në të gjitha garat Mendy ka shënuar një gol.


Allegri thotë se për të ardhmen e tij vendos klubi

Trajneri italian Massimiliano Allegri thotë se për të ardhmen e tij te Juventusi vendosin krerët e klubit. Ai në konferencën për media të hënën ka thënë se klubi kishte dy synime para fillimit të këtij edicioni. Objektivat e Juves, sipas Allegrit, ishin Kupa e Italisë dhe të përfundojë në mesin e katër skuadrave më të mira. 

“Nuk mendoj për asgjë, bëj punën që më pëlqen, pastaj klubi ka të drejtë të vlerësojë ndikimin e një trajneri. Mendoj se gjëja më e rëndësishme për ne është të arrijmë objektivat tona. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu. Kemi ndeshje të rëndësishme ndaj Lazios”, ka thënë Allegri.  
Juventusi të martën e luan ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Ndeshjen e parë kundër Lazios në Torino, Juventusi e fitoi 2:0. Në Serie A është në vendin e tretë me 64 pikë.
 


City mund ta shesë Grealishin

Sulmuesi, Jack Grealish pritet të largohet nga skuadra e Manchester Cityt, ka njoftuar të hënën “Football Insider”. City është i gatshëm që të dëgjojë oferta për anglezin, i cili këtë edicion nuk ka bindur me paraqitjet e tij.

Grealish iu bashkua skuadrës angleze në vitin 2021, nga Aston Villa për 117 milionë euro.

28-vjeçari me fanellën e Cityt ka shënuar tri gola dhe ka bërë tri asistime në të gjitha garat, ekip me të cilin ka kontratë deri në verën e vitit 2027.

Me përfaqësuesen e Anglisë ka 35 ndeshje të zhvilluara dhe dy gola të realizuar.