Trajneri i Nottingham Forestit, Sabri Lamouchi, ka shpjeguar vendimin për të lënë në stol të shtunën portierin e përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muriq, në ndeshjen kundër Fulhamit.
Nottinghami aktivoi portierin e transferuar në verë, Brice Samba, në fitoren 2:1 ndaj Fulhamit në xhiron e pestë të Kategorisë së Dytë të Anglisë, transmeton Koha Ditore.
Muriq, që është huazuar te Nottinghami nga Manchester City, kishte qenë zgjedhje e parë në katër ndeshjet e para në ligë.
"Brice Samban e kam vendosur në portë për përvojën që ka dhe ai i dha më tepër besim skuadrës sonë. Marrja e vendimeve është përgjegjësia ime. Të shtunën ishte rezultat i madh dhe kisha të drejtë. Por, nganjëherë rezultati nuk është aty dhe unë jam gabim. Thjesht mendova se Samba është më i përshtatshëm për këtë sfidë ndaj Fulhamit. Aro është i ri, është vetëm 20-vjeçar. Ai ka kualitet të madh dhe do të luaj sërish, mos u brengosni për këtë. Vetëm për këtë ndeshje më duhej më tepër përvojë", ka thënë Lamouchi.