Sport

Trajneri Nuno rikthehet në Angli, te Nottinghami

Trajneri nga Portugalia, Nuno Espirito Santo është rikthyer për të punuar në Premier League. Ai të mërkurën është zyrtarizuar te skuadra e Nottingham Forestit dhe ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2025.

Në këtë post, portugezi Santo ka zëvendësuar Steve Cooperin e shkarkuar të martën. 49-vjeçari e njeh kampionatin e Anglisë, pasi në të shkuarën ka punuar te Wolverhamptoni dhe skuadra e Tottenhamit. Ai së fundmi, ishte në krye të ekipit Al-Ittihad nga Arabia Saudite por u largua në fillim të muajit të shkuar.

Te Nottinghami presin shumë nga trajneri i ri, i cili ka për mision ta mbajë ekipin në Premier League edhe për edicionin e ardhshëm. Aktualisht, Nottinghami zë vendin e 17-të në tabelë me 14 pikë të grumbulluara pas 17 ndeshjeve të zhvilluara deri më tani.

Santo në krye të Nottinghamit do të debutoj të shtunën në ndeshjen kundër skuadrës së Bournemouthit.