Trajneri i Burnleyt, Vincent Kompany, ka insistuar se llogarit në portierin e Përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muriq. Të enjten në një intervistë, Kompany ka vlerësuar lart Muriqin, i cili këtë edicion ka humbur vendin e titullarit përballë James Traffordit. Në fakt, Muriq ende nuk e ka regjistruar asnjë paraqitje në Premier League për Burnleyn, ekip që e ndihmoi të rikthehet në elitën e futbollit anglez pas titullit të fituar në Championship.
Ai ishte i pazëvendësueshëm te Burnley edicionin e shkuar, duke regjistruar 41 paraqitje në kategorinë e parë angleze. Megjithatë, transferimi i portierit të ri Trafford para fillimit të këtij edicioni ndryshoi tërësisht gjërat. Aktualisht, Muriq është portieri i dytë në ekipin anglez.
Në fakt, 24-vjeçari deri më tani ka vetëm dy paraqitje dhe të dyja në kuadër të Kupës së Ligës. Ditët e fundit, mediumet britanike kanë raportuar se Muriq nuk është i kënaqur me statusin e tij te Burnley dhe ka kërkuar largimin në afatin kalimtar të janarit. Madje, kanë shkruar se skuadrat si Union Berlin dhe Sevilla kanë shprehur interesim për huazimin e tij me opsionin e blerjes në fund të edicionit. Megjithatë, Kompany ka thënë se Muriq mbetet pjesë e rëndësishme e Burnleyt dhe ka përgëzuar reprezentuesin e Kosovës për durimin dhe pjekurinë që i ka treguar gjatë kësaj periudhe.
“Sa u përket portierëve, shkoni në çdo klub të Premier Leagues dhe mund të them se të gjithë kanë një ose dy portierë të mëdhenj. Kështu që, nuk ka asnjë arsye që ne të jemi ndryshe. Aro ka bërë shumë mirë për ne edicionin e kaluar në kampionat dhe ai është një nga ata lojtarët që duhet të konkurrojnë për vendin e tij, por nuk është i vetmi”, është shprehur Kompany. “Unë e njoh Aron për një kohë të gjatë, qëkur ishte lojtar i ri dhe mendoj se ai ka treguar shumë pjekuri, mirëkuptim për punën. Po ashtu, sa herë që është ftuar për të luajtur, ai ka dhënë atë që është dashur gjithmonë”.
Muriq u transferua te Burnley verën e shkuar nga Manchester City për 3 milionë euro dhe me ekipin anglez firmosi kontratë deri në verën e vitit 2026. Si i ri, ai iu bashkua Cityt dhe luajti për U18 e U23, përpara se të debutojë me ekipin e parë të Cityt në edicionin 2018/19. Po ashtu, gjatë kohës sa ishte nën kontratë me Cityn, Muriq ka qenë i huazuar edhe te NAC Breda e Willem II (Holandë), Nottingham Foresti (Angli), Girona (Spanjë) dhe Adana Demirspori (Turqi). Ai është titullar i padiskutueshëm te Kosova dhe deri më tani ka regjistruar 28 paraqitje prejse debutoi për “Dardanët” më 20 nëntor të vitit 2018.