Sezonin e shkuar, aventura e trajnerit nga Turqia, Shemsettin Bash, te KB Peja ishte shumë e shkurtër. Ai mori drejtimin e ekipit pejan pas largimit të kroatit Edi Xhelalija, por u largua pas dy ndeshjeve për shkak të arsyeve familjare. Bash pati një fitore dhe një humbje me Pejën sezonin e shkuar dhe tani është kthyer për ta vazhduar punën dhe për ta kompletuar misionin për sezonin e ri. Ai e mposhti Vëllaznimin, por pësoi disfatë nga Golden Eagle Ylli. Muajin e shkuar KB Peja konfirmoi se turku Bash ka firmosur kontratë njëvjeçare dhe ai tashmë ka nisur përgatitjet me ekipin. Këtë herë 48-vjeçari insiston se nuk ka ardhur te Peja për t’u larguar sikurse edicionin e shkuar, por për të qëndruar deri në fund dhe për ta udhëhequr ekipin drejt sukseseve në sezonin e ri. Vetë Bash ka insistuar se te Peja është kthyer për trofe.
“Synimi im është që të punoj te Peja deri në fund të sezonit. Edicionin e shkuar nuk arrita ta vazhdoja punën për shkak të problemeve familjare. Mirëpo tani jam këtu dhe besoj se në sezonin e ri gjërat do të jenë shumë më mirë”, është shprehur Bash për KOHËN. “Në çdo garë që do të paraqitet Peja në sezonin e ri, synimi është i qartë. Pra, do ta kërkojmë trofeun dhe titullin e kampionit”.
Bash insiston se tani është më mirë për të që u kthye te Peja sesa sezonin e shkuar, pasi ekipin e kishte përgatitur kroati Xhelalija. Në fakt, Peja sezonin e shkuar ka bërë shumë ndryshime në trajnerë. E nisi me Xhelalijan, vazhdoi me Bashin, pastaj Jordanço Davitkovin dhe sezonin e mbylli me Dragan Radoviqin. Nuk e fitoi asnjë trofe, ndonëse luajti në finale të plejofit të Superligës dhe Ligës Unike. Në të dyja rastet Peja u mposht nga skuadra e Golden Eagle Yllit.
“Gjithmonë është më mirë për një trajner që të punojë me ekipin prej fillimit të sezonit, pasi do të mund të implementojë shumë më lehtë idetë dhe lojën e tij. Gjithashtu, po përpiqemi të krijojmë një ekip të mirë në përputhje me buxhetin dhe lojtarët vendorë që i kemi”, është shprehur Bash. “Është e rëndësishme që të krijojmë një kimi të ekipit dhe për mua kjo ka më shumë vlerë sesa cilësia e lojtarëve. Po përpiqemi të ndërtojmë një gjë të tillë në skuadër për sezonin e ri, në mënyrë që mos të mungojnë sukseset e as loja kolektive”.
Në fakt, Bash ishte i pari që u konfirmua te Peja për sezonin e ri. Skuadra pejane gjithashtu ka angazhuar lojtarë të huaj dhe vendorë. Gjithashtu ka arritur ta ndalë edhe qendrën Lis Shoshi dhe kapitenin Dardan Berisha, që ishin pjesë e skuadrës edhe sezonin e shkuar, sikurse edhe Leonard Mekaj. Ndërsa, në ekip janë shtuar Arian Qallaku, Sami Hajzeri, Mirlind Zekaj. Sa u përket të huajve, Daniel Lekndrejaj që sezonin e shkuar ishte pjesë e Prishtinës, do të luajë te Peja, përkrah turkut Erdem Ilter dhe kroatit Henrik Shirko, i cili ishte pjesë e ekipit në sezonin 2019/20 dhe ndihmoi në fitimin e Kupës së Kosovës.
“Ne kemi synimet tona dhe besoj se do të jemi të gatshëm për sezonin e ri”, insistoi Bash, i cili beson se edhe gara do të jetë e fortë për titullin e kampionit dhe trofetë e tjerë. “Ka shumë ekipe të forta në sezonin e ri dhe nuk do të jetë aspak lehtë. Pesë apo gjashtë ekipe, do të luftojnë për titullin e kampionit dhe për këtë jam i bindur”.
Në sezonin e ri Peja krahas kampionatit vendor do të paraqitet edhe në Ligën Unike, si dhe Ligën Ballkanike. Bash thotë se te Peja është bërë një organizim fantastik për sezonin 2021/22 dhe gjërat po shkojnë si është më së miri.
“Të gjithë që janë të përfshirë në klub po e japin më të mirën nga vetja dhe kjo është një gjë shumë e mirë për sezonin e ri”, insistoi Bash. “Besoj se do të jemi gati për sezonin e ri, në të cilin e kemi synim ta fitojmë secilën garë ku marrim pjesë”.
Bash ka një karrierë të pasur si lojtar, të cilën e ka zhvilluar në basketbollin e Turqisë. Ndërsa si trajner, Bash punon prej vitit 2014. Peja është ekipi i tretë që e udhëheq në karrierën e trajnerit. Ai prej vitit 2014 deri në vitin 2018 ka qenë në krye te Bursasporit, ndërsa për një sezon e ka udhëhequr edhe skuadrën nga Rumania, CSO Voluntari (2019/20). Edicioni i ri në basketbollin kosovar do të nisë muajin tjetër. Saktësisht, prej datës 1 deri më 5 shtator do të mbahet “Final 8 Superkupa”, ndërsa prej mesit të muajit shtator do të nisë sezoni i ri. Në xhiron e parë të elitës së basketbollit kosovar, KB Peja do të luajë në palestrën “Karagaçi” kundër skuadrës së Bashkimit.