Shtypja në të cilën vdiqën tetë tifozë dhe rreth 40 mbetën të lënduar në prag të ndeshjes mes Kamerunit dhe Komorosit, në kuadër të 1/8 së finales në Kupën e Afrikës në Yaounde, është tragjedia e fundit në një varg të gjatë tragjedish që kanë ndodhur në stadiumet e futbollit.
Më poshtë paraqesim disa prej tyre:
Peru – 23 maj 1964
320 persona mbetën të vdekur dhe mbi njëmijë të lënduar gjatë një rrëmuje në një ndeshje kualifikuese olimpike mes Perusë dhe Argjentinës, në stadiumin kombëtar të Limas. Tifozët nuk arritën t’i shpëtojnë shtypjes, u shkelën ose u asfiksuan.
Rusi – 20 tetor 1982
Misteri ende rrethon numrin e përgjithshëm të atyre që vdiqën në fund të një ndeshjeje të Kupës UEFA-s midis Spartakut të Moskës dhe skuadrës holandeze Haarlem, në stadiumin “Luzhniki”, si rezultat i shtypjes. Kjo vlerësohet ndër tragjeditë më të madhe sportive në Rusi. Zyrtarisht shifra mbetet në 66 të vdekur - 45 prej tyre adoleshentë. Por, sipas një gazete sovjetike, shifrat janë shumë më të larta dhe shkojnë deri në 340 të vdekur.
Ganë – 10 maj 2001
126 persona vdiqën në Accra në fund të ndeshjes ndërmjet skuadrave Hearts of Oaks dhe Kumasi. Tragjedia ndodhi kur tifozët e Kumasit, të hidhëruar me humbjen e ekipit të tyre, filluan të gjuanin fishekzjarrë dhe të hedhin karriget. Policia për ta qetësuar situatën reagoi me gaz lotsjellës, situatë kjo që shkaktoi shtypje gjatë ikjes së tifozëve dhe rezultoi me viktima të shumta.
Angli – 15 prill 1989
Një shtypje në ”Hillsborough Stadium” të Sheffield Unitedit çoi në vdekjen e 79 tifozëve të Liverpoolit në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës FA kundër Nottingham Forestit.
Guatemalë – 16 tetor 1996
Rreth 80 spektatorë e humbën jetën pasi u shtypën nga tifozët tjerë që po futeshin në tribunat e stadiumit “Mateo Flores” për ndeshjen kualifikuese të Botërorit “Franca 1998” ndërmjet Guatemalës dhe Kostarikës.
Skoci – 2 janar 1971
66 persona vdiqën shkaku i shtypjes në “Ibrox Stadium” gjatë derbit mes Rangersit dhe Celticut. Kjo ishte tragjedia më e madhe në stadiume në Skoci pas asaj të vitit 1902 kur tribuna e rrëzua dhe mbetëm të vdekur 26 njerëz.
Egjipt – 1 shkurt 2012
Tragjedia e stadiumit “Port Said” në Egjipt, ku vdiqën 74 njerëz, erdhi si pasojë e përleshjes së tifozëve të skuadrave rivale të Kajros: Al-Masry dhe Al-Ahly.
Ndërkohë, në shkurt të vitit 1974, 48 njerëz vdiqën dhe 74 tjerë mbetën të lënduar kur 80 mijë persona ia mësynë të futeshin në stadiumin me një kapacitet prej 40 mijë ulësesh.
Belgjikë – 29 maj 1985
Përleshja e tifozëve të Juventusit me ata të Liverpoolit në “Heysel Stadium” të Brukselit, la 39 persona të vdekur, në njërën prej tragjedive më të mëdha të futbollit në Evropë.