Sport

Tragjedia e stadiumit shfaq historinë e trazuar të futbollit të Indonezisë

Fitimi i së drejtës për të organizuar Kupën e Botës U-20 të vitit të ardhshëm ishte një moment historik i futbollit të Indonezisë duke rritur shpresat se një turne i suksesshëm do të eliminonte problemet e kahershme që kanë dëmtuar sportin në këtë vend me 277 milionë banorë.

Vdekja e të paktën 125 personave në një ndeshje kampionale midis Arema FC të qytetit Malang të Javas Lindore dhe Persebaya Surabaya, të shtunën, është një kujtesë tragjike se Indonezia është një nga vendet më të rrezikshme ku mund të ndiqet një lojë futbolli.

“Mos harroni se Kupa e Botës FIFA U-20 do të jetë në qendër të vëmendjes mbarëbotërore pasi këtij eventi do t'i bashkohen 24 vende nga pesë kontinente”, tha presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, muajin e kaluar, teksa bëri presion për përgatitjet e plota për turneun.

Që nga e shtuna liga vendore është pezulluar. Widodo ka urdhëruar ministrin e sportit, shefin e policisë kombëtare dhe federatën e futbollit të kryejnë një hetim të plotë mbi përplasjen vdekjeprurëse që ndodhi në stadium.

Indonezia ishte përfaqësuesja e parë aziatike që luajti në një Kupë Botërore duke marrë pjesë në vitin 1938 si Indi Lindore Holandeze. Por, pavarësisht një pasioni të jashtëzakonshëm kombëtar për këtë sport, Indonezia nuk është kthyer kurrë në skenën globale për shkak të viteve të korrupsionit, dhunës dhe keqmenaxhimit. Të dhënat nga mbikëqyrësi i futbollit të Indonezisë, “Save Our Soccer”, treguan se 78 njerëz kanë vdekur në incidente të lidhura me ndeshjet e futbollit gjatë 28 vjetëve të fundit. Të akuzuarit janë të lidhur shpesh me grupe mbështetëse që lidhen me klubet e që mburren me qindra mijëra anëtarë. Rivaliteti i Aremas me Surabayan bëri që asnjë tifoz vizitor të mos lejohej në stadium gjatë fundjavës. Megjithatë, dhuna shpërtheu kur skuadra vendase humbi 3:2 dhe disa nga 42.000 tifozët e Aremas, të njohur si “Aremania”, hodhën shishe dhe sende të tjera ndaj lojtarëve dhe zyrtarëve të futbollit. Kufizimet për tifozët vizitorë gjithashtu kanë dështuar në të kaluarën. Në vitin 2016, pavarësisht se tifozët e klubit Persib Bandung u ndaluan nga një ndeshje me rivalin e ashpër Persija Jakarta, u fajësuan për vdekjen e një mbështetësi të Jakartas.

Një muaj më parë një tifoz i ekipit Persib ishte rrahur për vdekje nga tifozët e Jakartas. Në vitin 2018, mediat lokale raportuan vdekjen e shtatë në gjashtë vjet, që lidhet me rivalitetin më të madh të futbollit të Indonezisë. Tifozët e futbollit i kanë akuzuar zyrtarët e sigurisë si të ashpër në të kaluarën dhe në fundjavë, me dëshmitarët që përshkruanin oficerët duke i rrahur ata me shkopinj dhe mburoja përpara se të gjuanin bombolat e gazit lotsjellës direkt në turmë. Në vitin 2016 policia u akuzua për vrasjen e tifozit 16-vjeçar Muhammad Fahreza në një ndeshje mes klubeve Persija dhe Persela Lamongan, duke nxitur demonstrata masive që kërkonin t'i jepej fund brutalitetit të policisë.

“Policia që ishte përgjegjëse për sigurinë, shkeli rregullat e sigurisë dhe ato të FIFA-s”, tha analisti i futbollit Akmal Marhali, duke iu referuar përdorimit të gazit lotsjellës ndaj tifozëve të Malangut që hynë në fushë pas humbjes së ekipit të tyre.

Kjo shkaktoi një nxitim për dalje në një stadium të mbipopulluar.

“Federata e Futbollit të Indonezisë mund të ketë qenë neglizhuese për mosinformimin e policisë se procedurat e sigurisë në një ndeshje futbolli nuk janë të njëjta me ato në një demonstratë”, shtoi ai.

FIFA, organi qeverisës botëror i futbollit, këshillon kundër përdorimit të gazit lotsjellës në stadium nga sigurimi ose policia që kontrollon dhe ka përgjegjësi për operacionet e sigurisë. Federata e Futbollit e Indonezisë, e njohur si PSSI, ka luftuar prej kohësh për të menaxhuar lojën brenda vendit. Në vitin 2007 Nurdin Halid u burgos për akuza korrupsioni, por ishte në gjendje të vazhdonte si president i organizatës deri në vitin 2011. Pasi Halidit iu ndalua të kandidonte për një mandat tjetër, u shfaq një ligë rivale, federatë dhe ekip kombëtar.

Administrimi kaotik vazhdoi derisa FIFA e pezulloi Indonezinë në vitin 2015, një sanksion që u hoq vitin pasues. Në vitin 2019, kur FIFA ia dha Indonezisë të drejtën e organizimit të Kupës së Botës U-20, vendimi u pa si një votëbesim. Në qershor, një panel i FIFA-s inspektoi ambientet e futbollit të vendit dhe planifikimin për turneun e vitit të ardhshëm dhe ishte i kënaqur me atë që pa.

“Ne jemi shumë të kënaqur me përgatitjet në Indonezi”, tha Roberto Grassi, shefi i turneve për të rinj në FIFA. “Tashmë janë bërë shumë punë rinovimi. Kemi pasur një vizitë inkurajuese dhe kemi besim në mbështetjen e të gjithë aktorëve të përfshirë”.

Stadiumi “Kanjuruhan”, vendi i fatkeqësisë, nuk është në mesin e gjashtë arenave për Kupën e Botës U-20, megjithëse stadiumi “Surabaya”, aty pranë, është planifikuar të presë ndeshjet. FIFA nuk ka komentuar ende për ndonjë ndikim të mundshëm në Kupën e Botës U-20, por tragjedia e fundjavës ka të ngjarë të dëmtojë ofertën e Indonezisë për të pritur Kupën e Azisë 2023. Ajo po konkurron me Korenë e Jugut dhe Katarin për t'u bërë nikoqire e kampionatit kontinental pasi Kina hoqi dorë nga të drejtat e saj të organizimit në maj. Indonezia tashmë ka bashkorganizuar turneun, në vitin 2007 me Tajlandën, Malajzinë e Vietnamin dhe duke pritur finalen në Xhakarta, ku Iraku mundi Arabinë Saudite. Kjo ishte hera e fundit që Indonezia organizoi një turne të madh ndërkombëtar futbolli.

Konfederata Aziatike e Futbollit pritet të shpallë vendimin e saj për turneun e vitit 2023 më 17 tetor. Nuk ka gjasa të luhet ndonjë ndeshje futbolli para kësaj date, pasi njerëzit në Indonezi dhe ndjekësit e futbollit në mbarë globin e kanë dënuar një nga fatkeqësitë më vdekjeprurëse në një ngjarje sportive. Familjet dhe miqtë e disa prej njerëzve që vdiqën pas ndeshjes vajtuan në pikëllim, ndërsa trupat e viktimave u kthyen në shtëpi të hënën. Shtatëmbëdhjetë fëmijë ishin në mesin e të vdekurve.