Sport

Tragjedi në Gjermani, dy futbollistë vdesin në aksident të rëndë trafiku

Vetëm pak metra larg ambienteve të klubit FC Alemannia 05, dy vetura janë përplasur me njëra-tjetrën të shtunën mbrëma – pesë persona mbetën të vdekur.

Kështu ka shkruar gazeta gjermane “Bild” të dielën.

Pak para aksidentit, klubi ka mbajtur një aheng në Eggenstein-Leopoldshafen.

Danny Z. ka qenë në mesin e të ftuarve.

Vetura e futbollistit Danny Z., ka qenë krejtësisht e shkatërruar. Asnjë prej katër personave brenda veturës së tij nuk shpëtuan.

Rreth orës 12:50 pas mesnate, lojtari ka qenë me makinën e tij BMW M2 Competition (me 410 kuaj fuqi), bashkë me bashkëlojtarin Tim P., fizioterapeuten Leonie B., dhe mikun e tij, Philipp D.

Policia ka thënë se vetura ka “rrëshqitur për një arsye të panjohur”.

Makina është rrotulluar dhe ka goditur në anën e shoferit të një taksie, me fuqi të madhe, vazhdon tutje “Bild”.

Të gjithë katër personat e vdekur në veturën BMË ishin të moshës prej 25 deri në 29-vjeçare. Një pasagjer 28-vjeçar ka vdekur te makina e taksisë.

Ngasësi i taksisë dhe personi tjetër brenda kanë marrë lëndime serioze.

Dyshohet se shkaktar i aksidentit ishte shpejtësia e madhe ndërsa dëmet materiale shkojnë deri në 110 mijë euro.

FC Alemannia 05 është dashur të luante kundër FV Linkenheimit të dielën, por ndeshja është anuluar.