Tradita e futbollistëve të Egjiptit që marrin pseudonime të çuditshme është e gjallë dhe po vazhdon me ritëm të rritur. Kjo është traditë që daton prej viteve ‘80. Pseudonimet e shkëlqyeshme dhe ndonjëherë satirike të lojtarëve u përdorën në mënyrë të dukshme nga Badr Ragab, një trajner i të rinjve në klubin më të suksesshëm të Egjiptit, Al-Ahly gjatë viteve ‘80.
“Kur isha trajner i ekipit të rinjve në Al-Ahly, vendosa t'u jepja pseudonime lojtarëve të mi për disa arsye. Kam ëndërruar që ata do të bëhen yj ndërkombëtarë dhe doja t'i motivoja që të punonin shumë duke imituar futbollistë të njohur”, tha Ragab. “Emrat bazohen në ngjashmërinë e tyre me lojtarët e famshëm, si dhe në aftësitë e tyre. Unë ia dhashë Kareem Waleedit pseudonimin ‘Nedved’, sepse ai ngjante me Pavel Nedvedin e Juventusit dhe Mahmoud Hassanit ia lashë nofkën ‘Trezeguet’. Ai kishte elementet e David Trezeguetit”.
Egjiptiani Trezeguet, 26-vjeçar, është me skuadrën angleze Aston Villa pasi ka luajtur në Belgjikë me Anderlechtin dhe në Turqi me Kasimpashan. Ai ka 48 paraqitje me Përfaqësuesen e Egjiptit.
Ragab ia la nofkën sulmuesit të krahut të Egjiptit, Mahmoud Abdel-Moniem, “Kahraba” (Elektricitet), për shkak të energjisë së tij.
Megjithatë, jo të gjithë janë të kënaqur me pseudonimet e tyre, edhe pse tifozët egjiptianë i kanë përqafuar ato me gjithë zemër. Ramy Barakat, ish-psikolog i Përfaqësueses së Egjiptit, pohon se pseudonimet nuk janë të dobishme në planin afatgjatë.
“Disa lojtarë i konsiderojnë këto pseudonime pa kuptim dhe janë thjesht punëtorë të fortë që duan të bëhen yje, ndërsa të tjerët bien pre e tyre dhe besojnë se ia kanë arritur. Unë preferoj të mos u jap lojtarëve më të rinj pseudonime të tilla”, theksoi ai.
Por kjo nuk i ka ndaluar lojtarët të vendosin pseudonimet e tyre të çuditshme dhe interesante edhe në fanellat e tyre. Yllit të skuadrës së Zamalekut, Youssef Ibrahim, 25 vjeç, iu dha pseudonimi “Obama” nga shokët e skuadrës, kur ai u promovua në ekipin e parë. Ata thanë se ai dukej si ish-presidenti amerikan Barack Obama.
Mbrojtësi i Al-Ahlyt, Ahmed Ramadan shkon me nofkën “Beckham”, si një nderim për yllin anglez David Beckhamin. Khalil Heggi, gjithashtu në Al-Ahly, ka vendosur të marrë emrin e sulmuesit të Brazilit dhe Paris Saint-Germainit - Neymar.
Një nga lojtarët më të dashur egjiptian Mahmoud Abdel-Razeq, i cili luajti për Zamalekun dhe Al-Ahlyn, thjesht njihet si “Shikabala”. Është një version egjiptian i emrit të yllit zambias Webster Chikabala, i cili luajti profesionalisht në Portugali. Mbrojtësi i Zamalekut, Mahmoud Hamdy, njihet si “El Winch” (vinçi) për shkak të forcës së tij.
Ashtu si në pjesën më të madhe të jetës publike egjiptiane, edhe ushtria përfaqësohet. Klubi El-Entag El-Harby (Prodhimi Ushtarak) ka një lojtar të quajtur me nofkën “Bazooka” (bazuka). Gjithashtu futbollistët egjiptianë përfaqësojnë edhe produktet e qumështit. Abdel Rahman Khaled i Al Mokawloon Al Arab SC, njihet me “Gebna”, që do të thotë djathi. Ndoshta etiketimi më i çuditshëm i përket yllit të Al-Ahlyt, Mohamed Magdy. Pseudonimi i tij “Afsha” është zhargon egjiptian për kapjen e pulave para se të theren. Nëna e tij ishte ajo që e thirri e para kështu, për shkak se Magdy kur ishte fëmijë ishte veçanërisht i talentuar në kapjen e pulave që i shiste në fshatin e vogël.