Sport

Trabzonspori autsajder e pushton futbollin turk

Tifozi i Trabzonsporit, Samet Kordali, është “100 për qind i sigurt” se klubi i tij i pafavorizuar nga bregu i Detit të Zi në Turqi do të ngrejë më në fund titullin e parë gjatë jetës së tij.

Dhe kur të vijë ajo ditë në fund të edicionit, në maj të vitit tjetër, qyteti verilindor i Trabzonit “do të marrë flakë”, thotë Kordali me një shkëlqim ëndërrimtar në sy.

Trabzonspori është lideri i pakontestueshëm i Superligës së Turqisë pas 17 xhirove. Skuadra është në rrugën e duhur për të ngritur trofeun e parë të kampionit që nga viti i largët 1984. Edhe pse Trabzonspori e pësoi humbjen e parë këtë edicion në fillim të këtij muaji, u rikuperua me një fitore 2:0 kundër Hataysporit të vendit të tretë para një turme të etur fundjavën e kaluar.

I përforcuar nga ardhja e mesfushorit sllovak Marek Hamsik, skuadra është nëntë pikë përpara Konyasporit të vendit të dytë dhe favoritëve të basteve për të fituar ligën – Fenerbahçes, Galatasarayt e Beshiktashit që kanë mbetur prapa në garë.

“Këtu çdo fëmijë e mbështet klubin”, thotë Hamdi Caliskan, 57 vjeç, jashtë dyqanit zyrtar të ekipit, ku fanellat e klubit po shiten me të madhe. “Ne jemi klubi i parë që kemi thyer sundimin e Stambollit”.

Në vitin 1976 Trabzoni u bë qyteti i parë pos Stambollit që fitoi titullin, i cili deri atëherë ishte pronë e tre gjigantëve turq: Galatasaray, Fenerbahçe dhe Beshiktash. Qyteti me 300 mijë banorë është i njohur kryesisht për portin e peshkimit, entuziazmin nacionalist dhe klubin e futbollit, të cilin disa e quajnë me dashuri “stuhia e Detit të Zi”. Në kafenetë e qytetit të vjetër ekipi i futbollit dominon çdo bisedë dhe ngjyrat e klubit zbukurojnë disa rruaza myslimane të banorëve lokalë.

“Kam shkuar në Trabzon disa herë gjatë karrierës si arbitër”, kujtoi zyrtari i pensionuar në vitin 2019, Deniz Coban. “Marrëdhënia e njerëzve me futbollin është shumë e ndryshme atje. Një gjyshe 80-vjeçare do të kthehej në rrugë për t’u ankuar rreth ndonjë vendimi për klubin, sepse ajo ju njeh. Atje të gjithë jetojnë me klubin e futbollit”.

Ky pasion për klubin vendas është i rrallë në rajonet e Turqisë, ku shumë ende mbështesin skuadrat e famshme të Stambollit, thotë Can Kakisim, një profesor dhe ekspert i futbollit.

“Trabzoni është një qytet i ndarë, sepse shumica e mbështet Trabzonsporin”, tha ai.

Disa anekdota zbulojnë pasionin për klubin.

Në vitin 2015 presidenti i klubit, i zemëruar nga një penallti e paakorduar, i mbylli gjyqtarët në dhomën e zhveshjes për katër orë. Drama përfundoi vetëm pasi presidenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan, ia bëri një telefonatë qetësuese shefit të futbollit. Në fillim të këtij muaji një burrë kërcënoi se do të bënte vetëvrasje duke u hedhur nga çatia e një pallati në qendër të qytetit. Në një video që u bë virale në internet një person thërriste nga poshtë: “Vëlla, mos shko derisa të shohësh fitoren e titullit të kampionit!”.

Mes qytetarëve të moshuar disa ende kënaqen me nostalgjinë e një epoke të shkuar, kur Trabzonspori rrëmbeu gjashtë tituj kampioni dhe gjashtë Superkupa të Turqisë midis viteve 1976 dhe 1984. Që atëherë Trabzonspori ka fituar një reputacion si “kundërshtar i respektuar” që mund të bëjë një luftë të mirë kundër ekipeve të Stambollit, thotë historiani Mehmet Yuce.

Galatasaray, Fenerbahçe dhe Beshiktashi nuk e trajtojnë Trabzonsporin të barabartë, duke u fokusuar në rivalitetin e tyre të brendshëm.

“Galatasaray, Fenerbahçe dhe Beshiktashi kanë ekzistuar për më shumë se një shekull dhe kështu ato klube nuk e shohin Trabzonsporin (i formuar më 1967) si një ekip të kalibrit të tyre”, thotë Yuce.

Klubi, i cili ka përfunduar i dyti në nëntë raste, ka avantazhin që nuk luan në garat evropiane.

Për profesorin Kakisim një titull i ri i kampionit është i nevojshëm për të mbajtur gjallë pasionin mes tifozëve të rinj.

Gokhan Alparslan është njëri prej tyre. Duke lyer shtëpitë gjatë javës, 25-vjeçari shet shalle ekipi për 30 lira (1.70 dollarë) në ditët e ndeshjeve në parkingun e stadiumit. Këtë vit ai i shikon ndeshjet në televizor, por nëse Trabzonspori e fiton titullin, ai mendon se shitja e shalleve të ekipit mund ta bëjë të pasur.

“Ndoshta atëherë do të arrijë të blejë një biletë sezoni për të hyrë brenda në stadium”, thotë ai duke qeshur.