Sport

Tovërlani paralajmëron largimin nga Feronikeli

Afrim Tovërlani ka paralajmëruar largimin nga posti i trajnerit të Feronikelit, pas humbjes së pësuar sot në shtëpi nga Drita me rezultatin 2:1.

Feronikeli kishte kaluar në epërsi me anë të Mendurim Hotit, por Drita realizoi dy herë me Astrit Fazliun e Kastriot Rexhën.

Pas ndeshjes Tovërlani ka thënë se sipas gjitha gjasave kjo është ndeshja e fundit e tij në stolin e Feronikelit.
“Do të ulem të flas me presidentin e klubit, por sipas të gjitha gjasave kjo do të jetë ndeshja ime e fundit me skuadrën e Feronikelit. Mendoj se është më mirë të vijë një trajner tjetër”, ka thënë Tovërlani pas ndeshjes.

Feronikeli ka pesë pikë pas pesë ndeshjeve në Superligë. 

Derisa zyrtari për media i Feronikelit, Erlind Krasniqi, ka thënë për KosovaPress se do të merren masa në këtë drejtim pasi objektivat e klubit janë të larta këtë sezon dhe loja në fushë nuk po përputhet me to.

“Rezultatet jo të mira janë të dukshme dhe është normale që nuk i kemi pritur, pasi që kanë ardhur shumë përforcime, për secilën pozitë të lojës. Ne si klub po e përcjellim gjendjen me shumë shqetësim por edhe me dëshirë për përmirësim ndeshje pas ndeshje. Patëm një fillim të mirë ndaj Gjilanit, por nuk na mbajti gjatë, pasi ndeshjet tjera patëm rënie në rezultat dhe lojë”, u shpreh ai. “Masa do të merren patjetër pasi që objektivat e klubit janë të larta këtë sezon dhe loja në fushë nuk po përputhet me to. Sidoqoftë së pari duhet të mblidhet klubi dhe trajneri për të analizuar punën deri këtu dhe hapat që duhen marrë. Një fakt tjetër qe ka shtyrë te këto rezultate është orari i ngjeshur, ku brenda 9 ditëve janë zhvilluar 4 ndeshje”.

Tutje ai ka shtuar se, “rezultatet nuk janë pasqyrim i punës së Toverlanit pasi që të gjithë i dimë cilësitë e tij si trajner dhe nuk diskutohen. Pas ndeshjes ai tha se do të takohet me presidentin e klubit për të diskutuar të ardhmen e tij. Deri në atë takim nuk mund të them asgjë më shumë”.