Sport

Top-xhudistët në Japoni për ngritje të mëtejme të nivelit

Për herë të dytë ekipi elitar i Kosovës në xhudo po qëndron për përgatitje më të gjata në vendin ku lindi xhudoja – Japoni. Për herë të parë ekipi kosovar ishte në kamp në Japoni në vitin 2015.

Në Japoni në vitin 2021, Nora Gjakova e Distria Krasniqi fituan medalje të arta olimpike, që janë më të vlefshmet në sport. Nora e Distria tani janë pjesë e ekipit që për dy javë do të qëndrojë në Japoni. Prej disa ditësh ekipi kosovar i xhudos është në Yamanashi, në afërsi të Tokios, ku ka një shkollë superiore të xhudos. Pos Norës e Distrisë në Japoni janë edhe Laura Fazliu, Loriana Kuka, Akil Gjakova, Shpati Zekaj e Blin Kuka. Bashkë me xhudistët janë trajnerët Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi.

“Do të jemi dy javë në Japoni. Kemi ardhur për stërvitje, përkatësisht për sparing cilësor. Është fakt që nuk po kemi sparing të duhur në Evropë. Ekipet evropiane janë duke taktizuar shumë”, ka thënë trajneri Driton Kuka për KOHËN.

Xhudistët elitarë të Kosovës kanë rezultate kulmore. Dhe rrjedhimisht në vendet evropiane, xhudistët vazhdimisht taktizojnë kur janë në stërvitje të përbashkëta me kosovarët. Kjo po e bën të pamundur sparingun cilësor për ekipin kosovar. Dhe për këtë qëllim kryemjeshtri Kuka ka vendosur të dërgojë xhudistët në Japoni, ku ka shumë xhudistë cilësorë dhe sparingu superior është i garantuar. Me sparing kuptohen luftërat që garuesit bëjnë në stërvitje.

“Në shkollën e xhudos ku jemi aktualisht niveli është superior, shumë i fortë. Bëhet fjalë për xhudistë që nuk i kemi parë nëpër gara, e që kanë nivel të përafërt me garuesit tanë. Unë si trajner po i shijoj shumë stërvitjet, ndërsa edhe xhudistët do të përfitojnë shumë nga qëndrimi këtu. Stërvitjet në Japoni janë shumë të forta. Për tri orë ka vetëm luftëra dhe kjo na shërben shumë në këtë fazë”, ka shtuar Driton Kuka.

Javë më parë xhudistët kosovarë fituan katër medalje në Kampionatin Evropian, një të argjendtë e tri të bronzta.

Më 16 dhjetor, Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova do të paraqiten në Kampionatin e hapur Evropian që zhvillohet në Prishtinë. Është ngjarja më e madhe e xhudos që mbahet në Kosovë.

Por synimi i madh i Kukës dhe i ekipit të tij është olimpiada “Parisi 2024”. Synohen medaljet në Paris në verën e vitit të ardhshëm dhe ushtrimet aktuale kanë synim final Olimpiadën.

Periudha në Japoni pritet t’i shërbejë shumë synimit të madh të xhudistëve.