Top-xhudistët e Kosovës, por edhe të gjithë botës, kthehen në gara këtë javë. Xhudistët më të mirë të Kosovës së fundi garuan në Grand Slamin në Kazakistan, prej 16 deri më 18 qershor. Në korrik nuk kishte gara të Turit Botëror të Xhudos, ndërsa prej 4 deri më 6 gusht në Budapest të Hungarisë mbahet “Mastersi”.
“Mastersi” është prej garave më të mëdha të xhudos. Mbahet një herë në vit, ndërsa paraqiten vetëm xhudistët më të mirë nëpër kategori. Vlerësohet garë e nivelit të Botërorit dhe të Lojërave Olimpike, sa i takon konkurrencës.
Medalja e artë në “Masters” siguron 1.800 pikë në ranglistën botërore. Për të artën në Grand Slam ofrohen 1.000 pikë. Vetëm Botërori e Olimpiada ofrojnë më shumë pikë, 2.000 përkatësisht 2.200. Kjo dëshmon, ndër të tjera, për vlerën e “Mastersit”.
Në fundjavë, në Hungari, do të garojnë 423 xhudistë nga 59 shtete të ndryshme. Kosovën do ta përfaqësojnë kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, si dhe Laura Fazliu e Akil Gjakova. Të gjithë vlerësohen kandidatë për medalje.
Si e para në ranglistën botërore në kategorinë deri 52 kg, Distria është bartësja e parë në kategori. Nora Gjakova është bartësja e tetë në kategorinë deri 57 kilogramë. Në këtë kategori garojnë të gjitha xhudistet e ranguara nga pozitat një deri në tetë. Më të ranguarat janë edhe në kategorinë deri 63 kilogramë. Laura Fazliu është bartësja e gjashtë.
Konkurrenca është e jashtëzakonshme edhe në kategorinë deri 73 kilogramë, ku Akil Gjakova nuk është bartës. Nuk mungon asnjë prej top-xhudistëve.
Me “Masters” fillon “sprinti final” drejt Lojërave Olimpike “Parisi 2024”. Tashmë është viti i fundit kualifikues për Olimpiadën e ardhshme.
“Është një vit final në çdo aspekt. ‘Mastersi’ këtë vit është i stërmbushur me emra të top-xhudistëve. Të gjithë duan të marrin pikë dhe më pas të kenë hapësirë që të përgatiten për Lojëra Olimpike. Pos japonezes Uta Abe që nuk është paraqitur, në Masters janë të gjithë xhudistët më të mirë në botë. Pra është garë e nivelit të Botërorit dhe Olimpiadës”, ka thënë për KOHËN, Driton Kuka, trajner i Kosovës në xhudo.
Periudha jashtë garave i ka shërbyer trajnerit Kuka dhe ekipit elitar.
“Kemi pasur pak kohë që t’u kthehemi stërvitjeve bazike. Po shpresoj që garuesit tanë do të jenë në formë të mirë dhe do të marrin sa më shumë pikë, në mënyrë që në muajt e fundit para Lojërave Olimpike të jemi të fokusuar vetëm në përgatitjen për ngjarjen më të rëndësishme”, ka shtuar Driton Kuka.
Vitin e kaluar, gara “Masters” u mbajt në Jerusalem, prej 20 deri më 22 dhjetor. Distria Krasniqi ishte kampione, Laura Fazliu ishte e dyta, ndërsa Nora Gjakova e pesta.
Në Budapest konkurrenca është edhe më e madhe, por synimet e xhudistëve kosovarë natyrisht janë për vend në podium.