Sport

Toney i gatshëm që mungesën shkaku i suspendimit t’ia shpaguajë me gola Brentfordit

Sulmuesi i Brentfordit, Ivan Toney, tha të hënën se është gati t’ia shpërblejë me gola mbështetjen e fortë që klubi i Premier Leagues ia dha gjatë kohës sa ishte i suspenduar. Toney me padurim po pret të kthehet në fushë dhe të shënoj gola pas një suspendimi prej tetë muajsh për shkak të 232 shkeljeve të rregullave të basteve.

27-vjeçari anglez ishte golashënuesi më i mirë i klubit të Londrës Perëndimore edicionin e kaluar dhe do të lejohet të luajë sërish nga 16 janari pasi rifilloi stërvitjet në shtator të vitit të shkuar. Brentfordi ka rënë në vendin e 16-të në ligë, katër pikë larg zonës së rënies dhe ka nevojë për kthimin e Toneyt dhe golat e tij, megjithëse lojtari është lidhur me një kalim eventual tek Arsenali në këtë afat kalimtar.

“Të gjithë e dinë se Brentfordi është një klub familjar. Në klub nuk kanë qenë gjë tjetër veçse mahnitës për mua. Unë nuk mund t'i falënderoj sa duhet, veçanërisht tifozët. Ata ishin pas meje që nga fillimi dhe për këtë arsye ndjej obligim për t’ua shlyer me gola këtë mbështetje të madhe”, tha ai në një intervistë për televizionin “Sky Sports”.

“Klubi është duke luftuar për momentin, por jam i sigurt se kur të kthehem do të luaj një rol të madh për ta nxjerrë nga fundi dhe për ta kthyer më formën që ka qenë. Mezi pres të kthehem dhe të ndihmoj shokët e skuadrës”.

Mundësia e parë e Toneyt për ta ndihmuar Brentfordin do të jetë kundër Nottingham Forest më 20 janar në kuadër të Premier Leagues. Toney veçse ka luajtur në një ndeshje kontrolluese ditë më parë, prapa dyerve të mbyllura. Brentfordi triumfoi 5:1 ndaj ekipit U23 të Southamptonit, ndërsa Toney realizoi “hat-trick”.

Brentfordi gjithashtu po vuan nga lëndimet dhe mungesat e shumta këtë edicion, duke humbur edhe golashënuesin më të mirë të këtij edicioni, Bryan Mbeumo, nga një dëmtim në kyçin e këmbës, si dhe Yoane Wissa që do të paraqitet në Kupën e Afrikës. Toney tha se ka shikuar ndeshjet e Brentfordit gjatë periudhës sa ishte i suspenduar dhe se e kishte vështirë ta shihte ekipin e tij duke humbur.

“Unë i shikoja ndeshjet e Brentfordit dhe ndihesha keq për faktin se nuk mund ta ndihmoj. Por, tani jam plotësisht i gatshëm dhe mungesën time në ekip dua ta kompensoj me gola”, insistoi Toney.

Sulmuesi, i cili ka një paraqitje me Anglinë, e kupton dilemën e kritikëve që mund të dyshojnë në formën e tij. Mirëpo ai insistoi se aspak nuk ka dyshime për këtë dhe se do ta dëshmoj kundër Nottinghamit.

“Unë e di se për çfarë jam i aftë, kështu që mendoj se kur të futem në fushë do të bëj atë që bëj më së miri, të shënoj gola”.

Toney është pjesë e Brentfordit prej vitit 2020 dhe ka kontratë deri në vitin 2025. Brentfordi tashmë ka caktuar një klauzolë lirimi në vlerë prej 100 milionë eurosh për ta lënë të lirë gjatë këtij muaji, pas interesimit të madh të Arsenalit.