Mosmarrëveshjet në komunitetin e karatesë pritet të përfundojnë më 27 janar, për kur është caktuar Kuvendi i radhës i jashtëzakonshëm i përbashkët zgjedhor në Federatën e këtij sporti.
Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor në FKK do të jetë i katërti nga korriku i vitit të kaluar. Janë mbajtur tri kuvende, nga grupi i udhëhequr nga Nazmi Gashi e Besart Baruti dhe nga grupi i drejtuar nga Avni Gashi.
Por dy grupet janë “pajtuar” dhe më 27 janar do ta zgjedhin udhëheqjen e re - kryetarin, dy nënkryetarë dhe nëntë anëtarë të Bordit.
Caktimi i datës është bërë nga Këshilli Iniciues për thirrjen e Kuvendit të përbashkët të jashtëzakonshëm zgjedhor.
Të drejtë pjesëmarrjeje në Kuvend kanë të gjitha klubet që, ndër të tjera, janë të licencuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Janë 49 klube që kanë përmbushur kriteret për pjesëmarrje në Kuvend.
“Deri më 20 janar ftohen të gjithë anëtarët e FKK-së që duan të konkurrojnë për pozitat, të dorëzojnë aplikim dhe bashkë me aplikim duhet të dorëzohen edhe CV-ja për pozitat”, shkruan në vendimin për thirrjen e Kuvendit.
Avni Gashi nuk pritet të marrë pjesë në procesin zgjedhor. Nuk do të jetë as kandidat për ta fituar postin e kryetarit.
“Nuk do të jem kandidat për kryetar. Kam vendosur të mos marr pjesë, por njëkohësisht vendosa të hap rrugë për të mirën e komunitetit tonë”, ka thënë ai për KOHËN.
Ndërkohë, Nazmi Gashi ka konfirmuar se është arritur pajtueshmëri për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Do të mbahet Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor më 27 janar”, ka thënë shkurt Nazmi Gashi.
Federata e Karatesë e Kosovës e ka të pezulluar nga shtatori licencën nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
MKRS-ja ia pati pezulluar licencën duke aprovuar propozimin e Komisionit Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive. Ishte vlerësuar se veprimet e Federatës së Karatesë janë në kundërshtim me Ligjin për sport, Udhëzimin Administrativ për kushtet, kriteret dhe procedurat e themelimit, licencimit të federatave, si dhe Statutin e FKK-së.
Ka pasur akuza e kundërakuza nga të dy grupet. Po ashtu ka pasur takime e ndërmjetësim edhe nga dy institucionet, MKRS-ja dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.
Shkaku i telasheve të udhëheqësve më së shumti pësuan sportistët. FKK-ja humbi të drejtën e mjeteve të shumta financiare nga MKRS-ja e po ashtu edhe sponsorëve.
Situata në karate krijoi edhe ndarje te sportistët. Melos Gashi, i biri i Avni Gashit vendosi të largohet nga Kosova dhe tashmë përfaqëson Shqipërinë. Ndërkohë, kishte vendim për ta lënë jashtë Botërorit edhe Fortesa Oranën, pasi ishte rreshtuar me grupin që udhëhiqej nga Avni Gashi. Por vetëm pasi hoqi dorë nga pozita e anëtares së Bordit, Orana u fut në listën e pjesëmarrësve në Botëror. Ajo udhëhoqi më pas Kosovën drejt medaljes së bronztë në garat ekipore.