Titulli i kampionit në Superligën e Kosovës në futboll për edicionin 2020/2021 mund të vendoset në Gjilan.
Prishtina, që është vetëm një pikë larg trofeut më të çmueshëm të futbollit kosovar, do të jetë mysafire e Gjilanit në ndeshjen e xhiros së 35-të (të parafundit). Ekipit nga kryeqyteti i kryen punë edhe një barazim për ta nisur festën, e cila i ka munguar qe tetë vjet. Fakt interesant është se edhe në edicionin e kaluar titulli ishte përcaktuar në stadiumin e qytetit në Gjilan. Barazimi i Gjilanit me Ballkanin, 2:2, kishte bërë që Drita të niste festën, pasi një ditë më herët e kishte mposhtur Drenicën. Në fund të kampionatit, Drita dhe Gjilani kishin pikë të barabarta, nga 68, por për shkak të bilancit më të mirë në përballjet direkte, Drita ishte stolisur me titullin e kampionatit.
Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, ka thënë për KOHËN se ndaj Gjilanit do të hyjnë për fitore si në çdo takim tjetër. Por, ai e pranon se do të ndahej i kënaqur edhe me një pikë. Xhiroja e 35-të luhet të dielën e ardhshme.
“Në çdo takim deri më tash kemi luajtur për fitore. Ashtu do të jetë edhe kundër Gjilanit. Do ta bëjmë maksimumin për të shënuar fitore dhe në fund edhe nëse do të dalim me barazim, gjithsesi do të jemi të kënaqur”, deklaroi Ramadani të hënën.
Trajneri shkupjan është në kërkim të titullit të tretë në futbollin e Kosovës. Ai e ka fituar trofeun e Superligës edhe me Trepçën ’89 në vitin 2017 dhe me Feronikelin në vitin 2019.
Ramadani thotë se çdo ndeshje dhe çdo klub e ka veçantinë e vet. Ai e quan heqje të presionit nëse e sigurojnë titullin në ndeshjen me Gjilanin.
“Çdo ndeshje e ka veçantinë e vet. Në ndeshjen kundër Gjilanit nëse e marrim një pikë, do ta heqim presionin dhe stresin njëvjeçar”, shtoi Ramadani.
Për herë të fundit Prishtina ishte kampione e Kosovës në edicionin 2012/2013. Është fare pranë titullit të 11-të në histori të klubit dhe të parit pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Kapiteni i Prishtinës, Lorik Boshnjaku, thotë se do të udhëtojnë drejt Gjilanit për të fituar dhe për ta mbyllur çështjen e titullit. Sipas tij, motivi te Prishtina është i jashtëzakonshëm.
“Normalisht, ne do të mundohemi që ta përfundojmë çështjen e titullit në ndeshjen që do ta kemi kundër Gjilanit në Gjilan. Të paktën të marrim një barazim, por ne do të udhëtojmë për fitore si në çdo ndeshje tjetër, duke e ditur edhe se Gjilani nuk ka ndonjë motiv, veçse të luajë futboll. Kurse ne kemi motiv të jashtëzakonshëm. E dimë se Gjilani nuk do të luajë me ata lojtarë që u paraqit ndaj Trepçës ‘89, por ne Gjilanin e kemi mposhtur dhe do të udhëtojmë sërish për fitore”, tha Boshnjaku.
Ai shtoi se një festë të vogël të titullit veçse e kanë kryer, por u mbetet vetëm ta konfirmojnë e më pas të festojnë si duhet. Boshnjaku e pranon se entuziazmi është i madh te prishtinasit.
“Jemi vetëm një pikë larg titullit. Është një entuziazëm i madh, si te futbollistët, kryesia e klubit e po ashtu edhe te tifozët ‘Plisat’, sepse pas tetë vjetësh jemi afër ta rikthejmë titullin në kryeqytet. Ne veçse e kemi bërë një festë të vogël pas fitores ndaj Feronikelit dhe shkëputjes që kemi krijuar nga dy ekipet që janë pas nesh”, deklaroi Boshnjaku.
Pas ndeshjes me Gjilanin, Prishtina në xhiron e fundit (36) do të jetë nikoqire e Ballkanit në “Fadil Vokrri”.
Skuadra që e fiton titullin e kampionit do të jetë pjesëmarrëse në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve. Nëse e arrin këtë Prishtina, e që është shumë afër, do të ishte hera e parë për klubin më të trofeshëm në futbollin kosovar që merr pjesë në kualifikimet e garës më të madhe evropiane për klube. Prishtina ka marrë pjesë tri herë në kualifikimet e Ligës së Evropës, kurse në edicionin e kaluar, edhe pse e kishte fituar të drejtën, nuk mundi të paraqitet shkaku i problemeve me koronavirus. Ekipi kosovar e humbi ndeshjen me rezultat zyrtar ndaj Lincolnit nga Gjibraltari, pasi disa lojtarë rezultonin negativë në Kosovë, kurse pozitivë në Gjibraltar. Suksesi më i madh i Prishtinës ka qenë kalimi i një raundi parakualifikues, duke e eliminuar FC Europan nga Gjibraltari. Kurse në rrethin e parë kualifikues Prishtinën e kishte eliminuar Fola Esch, në edicionin 2018/2019.
Prishtina është skuadra e vetme kosovare që çdo vit ka qenë pjesëmarrëse në garat evropiane, por në dy raste, falë ekipeve të tjera. Herën e parë, Besa nuk i plotësoi kriteret e UEFA-s, kurse në rastin e dytë Prishtina shkoi në Ligën e Evropës nga pozita e dytë, pasi Feronikeli i kishte fituar titullin dhe Kupën.