Sport

Titulli i pestë evropian i Mourinhos “mbetet i pavdekshëm” te Roma

Jose Mourinho, dikur i vetëshpallur si “Special One”, mund të përshkruhet më mirë si “Njeriu i Popullit” tani. Trajneri portugez e zgjeroi rekordin e tij perfekt në finalet evropiane në pesë tituj të fituar, pasi e udhëhoqi Romën drejt trofeut inaugurues të Ligës së Konferencës. Pasi fitoi pothuajse kudo ku ka qenë trajner, së fundmi me fuqitë evropiane si Real Madrid, Chelsea dhe Manchester United, sjellja e trofeut te Roma, që është suksesi i parë kontinental në më shumë se gjashtë dekada, ka një ndjenjë tjetër.

“Është një gjë tjetër të fitosh kur të gjithë presin që ti të fitosh, kur skuadra është bërë për të fituar, kur investimet janë bërë për të fituar, por është krejtësisht ndryshe të fitosh gjëra që mbeten të pavdekshme, që qëndrojnë përgjithmonë”, tha Mourinho, i përlotur pas fitores 1:0 të Romës ndaj Feyenoordit në Tiranë, të mërkurën. “Kjo ju bën të ndiheni vërtet të veçantë”.

Roma, një ekip që ka fituar tre tituj kampioni në Serie A, që i kishte humbur dy finalet e mëparshme evropiane, nuk kishte fituar asgjë që nga ngritja e trofeut të Kupës së Italisë të lënë pas dore 14 vjet më parë. Mourinho gjithashtu fitoi edhe Kupën e UEFA-s në vitin 2003 dhe finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2004 me Porton; finalen e Championsit në vitin 2010 me Interin; dhe finalen e Ligës së Evropës në vitin 2017 me Manchester Unitedin - duke u bërë trajnerin e parë që drejton katër klube të ndryshme drejt titujve evropianë. Ai gjithashtu ka udhëhequr edhe Chelsean dhe Real Madridin për trofe të shumtë vendas. Në vërshëllimin e fundit të arbitrit në stadiumin “Air Albania”, Mourinho ngriti lart pesë gishta që nënkuptonte pesë titujt e tij evropianë, ndërsa kërceu lart e poshtë në festim.

“Sigurisht që mendoj për veten time, por po mendoj shumë më tepër për tifozët e Romës që mund të festojnë gjatë këtë sukses”, tha ai. “Shpresoj se ata mund të kënaqen. Kjo do të jetojë përgjithmonë”.

Përveç disa mijëra shikuesve romanë brenda stadiumit të vogël në Tiranë, 50,000 mbështetës të Romës ndoqën ndeshjen në ekranet gjigante në “Stadio Olimpico” në Romë. Në vërshëllimën e fundit, tifozët vrapuan në fushën e zbrazët në Olimpico, duke valëvitur pankarta dhe duke kënduar këngët e ekipit. Festimet vazhduan gjatë gjithë natës në Romë, ndërsa tifozët ndezën fishekzjarrë përpara koloseumit dhe bënin zhurmë nëpër sheshet historike të qytetit me skuterët e tyre. Më pas, 3,000 prej tyre mirëpritën ekipin në shtëpi në aeroportin e qytetit në orën 04:00 të mëngjesit. Mourinho, i cili ishte një punësim surprizë nga pronarët e rinj amerikanë të Romës 11 muaj më parë, pasi ai u shkarkua nga Tottenhamit, u fut në bazën e tifozëve të pasionuar të Romës që nga momenti kur mbërriti në kryeqytetin italian.

“Ndihem si një romanist, por kështu veproj”, tha ai. “Unë jam një tifoz i Portos, një tifoz i Interit dhe një tifoz i Chelseat. Unë jam i çmendur për Real Madridin. Tani unë jam romanist. Unë i përkas të gjitha këtyre klubeve sepse kemi arritur momente të tilla së bashku”.

Momente të tilla, si goli i pjesës së parë në finale - nga Nicolo Zaniolo, mesfushori i talentuar 22-vjeçar me të cilin Mourinho u përplas në fillim të sezonit teksa u kthye nga dy dëmtime të rënda në gju, njëra prej të cilave e mbajti jashtë gjatë gjithë sezonit të kaluar dhe e pengoi atë të merrte pjesë në Kampionatin Evropian me Italinë që u shpall kampione – nuk përjetohen shpesh. Ose për 27 golat e shënuar në të gjitha garat këtë sezon nga Tammy Abraham, sulmuesi 24-vjeçar anglez, i cili u hoq mënjanë nga Chelsea vitin e kaluar përpara se Mourinho të bindte Romën të shpenzonte 40 milionë euro për të.

Apo mbrojtja fizike nga qendërmbrojtësi veteran anglez, Chris Smalling, i cili mbajti nën kontroll Cyriel Dessersin e Feyenoordit, golashënuesin më të mirë të Ligës së Konferencës. Mbi të gjitha, momenti më i mirë i finales ishte ai i Leonardo Spinazzolas. Mbrojtësi i krahut të majtë, që i çau tendinin e Akilit gjatë çerekfinales së “Euro 2020” me Italinë, u rikthye nga lëndimi dhe luajti në fund të ndeshjes me Feyenoordin për ta fituar një finale evropiane. 25-vjeçari Lorenzo Pellegrini, i cili ka vazhduar traditën e kapitenëve të Romës me origjinë romane dhe romanistë, u bë kapiteni më i ri që ngriti titull evropian. Ai arriti diçka që ish-kapitenët Francesco Totti dhe Daniele De Rossi nuk e bënë kurrë te Roma.

“Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë që ta arrija këtë sukses në moshën 25-vjeçare”, tha Pellegrini. “Sidomos, me shiritin e kapitenit në krah”.