Suksesi i deritashëm i Kosovës në Lojërat Olimpike Verore e ka befasuar edhe presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach.
Kosova i ka pesë medalje olimpike, prej tyre tri të arta. Gjermani Bach e dorëzoi medaljen e parë të artë, të cilën e fitoi Majlinda Kelmendi në “Rio 2016”.
Bach, që pas gjashtë muajsh i jep fund periudhës së gjatë si president i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, erdhi në Kosovë për të shënuar dhjetëvjetorin e pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në IOC. Ai ishte në krye të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar kur më 9 dhjetor 2014 në Monako u mor vendimi për njohje të Kosovës.
Bach kishte vizituar Kosovën në vitin 2015 dhe i kishte premtuar Majlinda Kelmendit se do t’ia dorëzonte personalisht medaljen e artë olimpike, nëse xhudistja do ta fitonte atë në Rio. Premtimi u realizua.
Në Tokio medalje të arta fituan Nora Gjakova e Distria Krasniqi, ndërsa në Paris këtë vit Distria fitoi medalje të argjendtë e Laura Fazliu të bronztë.
“Jo, nuk ka përmbushur pritjet e mia. I ka tejkaluar shumë herë. Nuk kemi mundur ta mendojmë kur morëm vendimin që dhjetë vjet më pas do të ulemi këtu me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe që do t’i ketë tri të arta olimpike dhe dy medalje të tjera olimpike”, ka thënë Bach në konferencë për shtyp të mbajtur të hënën në mesditë.
Ai ka lënë të kuptohet se medaljen e Majlindës në Rio edhe e ka pritur. Por ka shtuar se askush nuk ka mundur të presë që medalja e saj do të pasohet nga dy të arta të tjera olimpike.
“Prandaj them se janë tejkaluar pritjet e mia”, ka theksuar Bach.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar është organizata kryesore sportive në botë. Udhëheqësi i saj, Bach, ka thënë se është i lumtur që është kthyer në Kosovë pas nëntë vjetësh.
“Këta dhjetë vjet janë dëshmuar që ishin storje e suksesit në shumë aspekte, para së gjithash janë pesë medaljet olimpike. Kosova mori pjesë në tri edicione të Lojërave Olimpike Verore dhe për këtë njerëzit në Kosovë mund të jenë shumë krenarë, së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës”, ka shtuar Bach.
Në sallën ku u mbajt konferenca ishte edhe Besim Hasani, që e drejtoi KOK-un nga viti 1996 e deri në vitin 2021. Hasani ishte i shoqëruar nga Fatmir Makolli, kur u mor vendimi për njohje të KOK-ut. Makolli po ashtu ishte prezent në konferencë.
Presidenti Bach ka përmendur Besim Hasanin, njëjtë si presidenti aktual i KOK-ut, Ismet Krasniqi.
“Ky sukses nuk erdhi nga qielli, por u arrit falë punës së madhe nga Besim Hasani në atë kohë, që inicoi njohjen dhe ka përgatitur sportistët, e që ka rezultuar me medaljen e parë të artë për Kosovën me Majlinda Kelmedin në atë kohë, që ishte një lloj mrekullie. Është mrekulli të fitosh medalje të artë në pjesëmarrjen e parë dhe kjo u vazhdua me punën tejet të mirë të Ismet Krasniqit. Kjo histori e suksesit po vazhdohet me fitimin e medaljeve të tjera. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me këtë, por është duke u bërë shumë në aspekte të ndryshme”, ka thënë Bach.
Ai ka vlerësuar punën e Komitetit Olimpik të Kosovës. Bach ka thënë se është i lumtur që është në këtë festë së bashku me shumë drejtues sportivë nga vende të ndryshme.
Realizimin e premtimit që ia kishte dhënë Majlindës në vitin 2015, Bach e vlerësoi si një prej momenteve më të mira edhe për të personalisht.
Bach ka shtuar se shpresat në sukses nuk duhet të bazohen vetëm në xhudo, porse duhet të punohet për të rritur bazën e zhvillimit edhe të sporteve tjera. Drejtuesi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar vlerëson edhe përkrahjen e qeverisë për të zhvilluar sportin. Ka thënë se Lojërat Mesdhetare mund të jenë katalizator i zhvillimit të sportit në Kosovë.
Kryetari i Komitetit Olimpik Evropian, greku Spyros Capralos, ka folur për medaljen e parë të Kosovës në ngjarjet shumësportëshe, përkatësisht në Lojërat Evropiane të vitit 2015 në Baku të Azerbajxhanit. Nora Gjakova kishte fituar medalje të bronztë në xhudo.
“Ju uroj që jeni në lëvizjen tonë dhe për të gjitha sukseset që kishit, jo vetëm në sport me pesë medaljet olimpike. Por e urojmë edhe Komitetin Olimpik të Kosovës që mori pjesë në mënyrë shumë aktive në çdo ngjarje. Nuk e harroj kurrë medaljen e parë të Kosovës në Lojërat Evropiane në Baku. Më pas keni fituar medalje në Minsk dhe presim medalje të tjera në Lojërat e ardhshme evropiane”, ka thënë Capralos.
Ai ka përmendur faktin që Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare në vitin 2030. Ka thënë se kjo do të sjellë shumë përfitime për Kosovën, sidomos në infrastrukturë. Capralos ka kërkuar të mos shpenzohen tepër para, por të shpenzohen në mënyrë korrekte pasi kështu Kosova mund të zhvillohet më shumë.
Kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ka theksuar se pranimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar është moment historik.
“Është një ditë e veçantë, një ditë historike, pranimi i KOK-ut në IOC. Gjithë kjo punë është kontribut i madh i ish-udhëheqësve si Besim Hasani, që ka bërë punë të palodhshme dhe me vullnet shumë të madh. Pranimi në IOC ka hapur derë shumë të madhe për gjithë sportistët dhe gjithë Kosovën. Pa medaljet që i kemi fituar nuk do të ishte madhështor ky përvjetor. Por ne kemi bindur gjithë komunitetin e sportit se e duam sportin dhe mund të arrijmë gjithçka kur jemi të bashkuar. Fjalët e Bachut dhe Capralosit na motivojnë për të punuar edhe më shumë”, ka thënë Krasniqi.
Për të shënuar dhjetëvjetorin e pranimit të Kosovës në IOC kanë ardhur edhe shumë drejtues të tjerë sportivë.
Presidenti Bach ka pasur takim me kryeministrin Kurti dhe takim me drejtuesit e KOK-ut e po ashtu do ta takojë ekipin e xhudos, që i ka fituar të gjitha medaljet e mëdha të Kosovës.
Ai e ka përfunduar konferencën për shtyp me një mesazh të fuqishëm.
“Qëndroni besnik ndaj sportit dhe vlerave olimpike, angazhohuni dhe kur të arrini në nivelin garues mos hiqni dorë asnjëherë”, ka thënë Bach.