Sport

Tetova: Ekipin e përgatita për të marrë pikët e plota

Ulpiana dhe Drita kanë barazuar të premten gjatë ditës, në ndeshjen e xhiros së nëntë në Superligën e Kosovës në futboll. Brazimi 1:1 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, e ka lënë të kënaqur trajnerin e lipjanasve, Edlir Tetova.

Tetova tha se e kishte përgatitur ekipin që t’i marrë pikët e plota, por e mori vetëm një përballë ish-kampiones, të cilën e vlerësoi lartë.

“Çdo trajner e përgatit ekipin për tre pikë. Përballë kishim Dritën me lojtarë shumë cilësorë. Rezultati 1:1 sigurisht që më kënaq. Ishte ndeshja e parë para publikut, diçka e mirë. Ishte rezultat i drejtë. Të them “popullorçe”, kemi tre muaj që endemi në autobus. Fusha mori jetë, sigurisht tani lodhja do të jetë më e vogël. Nuk do të ketë udhëtime për stërvitje. Puna e futbollit është kjo, dëshiron të stërvitesh në shtëpi e të luash në shtëpi”, tha fillimisht Tetova pas ndeshjes.

Takimin e radhës, të parin në fazën e dytë, Ulpiana do ta zhvillojë kundër Llapit në mesjavë, kurse Drita udhëton te Feronikeli.

“Për ndeshjen me Llapin do të përgatitemi maksimalisht. Luajmë në fushën tonë. Objektivi do të jenë pikët e plota”, përfundoi Tetova.

Pas nëntë xhirove, Ulpiana renditet në vendin e tetë me shtatë pikë. Drita mbetet në vendin e katërt me 13 pikë, katër më pak se Drenica lidere.