Talenti i “2 Korrikut”, Ardi Tershani, karrierën pritet ta vazhdojë te gjiganti kroat i futbollit, Dinamo Zagreb.
Sulmuesi i krahut të djathtë është në vëzhgim të klubit kroat që tre vjet. 17-vjeçari pritet të kalojë te Dinamo në verën e këtij vitit 2022.
Lajmi është konfirmuar për KOHËN nga menaxheri, Adrian Aliaj, kompania e të cilët e ka nën menaxhim Tershanin.
Aliaj, që menaxhon edhe Amir Rrahmanin e Napolit e Mërgim Vojvodën e Torinos, e ka cilësuar Tershanin talentin më të madh aktualisht në futbollin e Kosovës.
“Një talent i madh që po rritet në Kosovë është Ardi Tershani. Ai luan te 2 Korriku dhe menaxhohet nga kompania që unë e drejtoj ‘Soccer 11’. Për Tershanin, që është i lindur në vitin 2004, ka shprehur interesim Dinamo Zagrebi. Ai mund të kalojë te Dinamo në verë. Përfaqësuesit e Dinamos kanë qenë në Kosovë dhe e kanë parë lojtarin. Mbajeni në mend, është lojtari më i talentuar aktualisht në Kosovë”, deklaroi Aliaj.
Mundësinë e kalimit në verë te Dinamo Zagrebi e ka pohuar edhe vetë lojtari. Ai ka thënë se të interesuara kanë qenë tri klube.
“Ashtu siç ka thënë menaxheri im, Adrian Aliaj, ashtu edhe është. Unë besoj që karrierën do ta vazhdojë te Dinamo Zagrebi. Jemi në kontakte me klubin kroat që tre vjet. Të interesuara kanë qenë edhe klube të tjera. Nuk mund të zbulojë më shumë, pasi detajet e tjera i di menaxheri. Do të ishte hap i madh në karrierën time dhe jam shumë i lumtur që do t’i bashkohem një klubi të madh siç është Dinamo”, tha Tershani.
I riu që luan për juniorët e 2 Korrikut është nga Shtimja. Ai udhëton çdo ditë për t’u stërvitur tek ekipi nga kryeqyteti.
“Unë jam nga Shtimja, por si lojtar jam rritur te 2 Korriku. Udhëtoj nga Shtimja për në Prishtinë. Sigurisht nuk është e lehtë pasi më bie të udhëtoj shumë, por e dua futbollin dhe me plot vullnet e bëjë këtë gjë. Me 2 Korrikun kam arritur suksese të mëdha. Kam fituar pesë herë titullin e kampionit me grupmosha të reja. Po ashtu kemi fituar edhe një turne në Izmir të Turqisë. Këtë edicion kam shënuar dhjetë gola në 14 ndeshje”, u shpreh Tershani.
“Jam pjesë e Kosovës U19. Është ndjenjë e veçantë për çdo lojtar që ta veshë fanellën e vendit të tij. Mendoj që është njëra prej gjërave më të mira kur vesh fanellën e shtetit”.
Vitin e kaluar nga 2 Korriku drejt Evropës është larguar Elton Krasniqi, që karrierën po e vazhdon te Hannoveri U17.
Dinamo Zagrebi është klub që u ka dhënë hapësirë futbollistëve shqiptarë. Më herët kanë luajtur Kujtim Shala, Ardian Kozniku e Fatos Beqiraj. Të tre kanë arritur suksese të mëdha. Pjesë e Dinamos ishte edhe Amir Rrahmani, prej nga u transferua te Verona e më pas te Napoli. Së fundmi pjesë e gjigantit kroat ishte edhe Lirim Kastrati, i cili u transferua te Legia e Varshavës. Ka disa vjet që kapiten i Dinamo Zagrebit është Arijan Ademi.