Sport

Ten Hagu pranon se është nën presion të madh për ta kthyer Unitedin në krye

Eric ten Hag pritet ta marrë drejtimin e Manchester Unitedit

Erik ten Hag ka pranuar haptazi të premten se ai është nën presion për të arritur në top katërshe në sezonin e tij të parë si trajner i Manchester Unitedit, pasi bëri shpenzime rekorde prej 300 milionë eurosh për lojtarë të rinj gjatë verës. Unitedi aktualisht është në vendin e pestë në tabelë, ndërsa Premier League përgatitet të rifillojë javën e ardhshme pas Kupës së Botës në Katar. Unitedi nuk arriti të kualifikohej këtë edicion në Ligën e Kampionëve pasi përfundoi i pesti sezonin e shkuar dhe Ten Hag e ka parasysh se duhet të bëjë të pamundurën që ekipi i tij të jetë në mesin e katër ekipeve të para në Premier League. Aq më tepër, pasi Ten Hag kur erdhi në krye të Manchester Unitedit bleu lojtarë si Casemiro, Antony, Lisandro Martinez dhe Tyrell Malacia, ndërsa Christian Eriksenin e transferoi si futbollist të lirë.

“Unë e pranoj se si është, e pranoj atë presion. Por edhe për trajnerin e Chelseat dhe të Newcastle Unitedit besoj se ka presion për shkak se edhe këto klube kanë investuar shumë”, tha trajneri i Unitedit, Ten Hag. “Është presion i madh për të gjithë ne që të futemi në top katërshe. Ne duam të jemi në top katërshen dhe të luftojmë për trofe, ky është qëllimi ynë dhe shpresoj ta arrij në edicionin tim të parë në Angli”.

Për pjesën e dytë të sezonit Ten Hag nuk do ta ketë në ekip Cristiano Ronaldon. Yllit portugez klubi anglez ia shkëputi kontratën pas një interviste në të cilën e kritikoi Unitedin dhe trajnerin holandez. Ten Hag nuk pranoi të flasë për Ronaldon, por u fokusua te rifillimi i Premier Leagues. Të martën, Unitedi do të luajë në shtëpi kundër Nottingham Forestit. Në fakt, ekipi i Ten Hagu u rikthye të aksion këtë të enjte kur e mposhti Burnleyn në kuadër të EFL Cup.

“Ne jemi të vetëdijshëm se konkurrenca është e vështirë, por kjo vlen edhe për shtatë apo tetë klubet që luftojnë për katër vendet e para. Natyrisht, ne duhet të marrim edhe rezultatet, por procesi është i duhuri, ne po bëjmë përparim dhe mendoj se kemi një mundësi të mirë dhe një shans të mirë për të hyrë në top katërshe”, u shpreh Ten Hag.

Tekniku holandez nuk i kurseu lojtarët e Unitedit që ishin me përfaqësueset e tyre në Kupën e Botës “Katari 2022”, që përfundoi të dielën e shkuar me fitoren e Argjentinës ndaj Francës me penallti. Madje, ai pesë lojtarë që morën pjesë në turneun e Katarit i inkuadroi prej fillimit kundër Burnleyt dhe paralajmëroi se ata do të luajnë edhe ndaj Nottingham Forestit. Me këtë veprim, Ten Hag ua bëri të gjithë lojtarëve me dije se nuk do ta ketë pothuajse aspak pushim shkaku i orarit të stërngarkuar. Ai ka bërë të ditur secili lojtar i Unitedit që u paraqit në Kupën e Botës ka një problem individual për ta përshtatur rikthimin e tyre në ekip.

“Ne kemi një plan, por ky është i bazuar në individ. Unë dua t’i kem në dispozicion të gjithë lojtarët, pavarësisht nëse ata sapo janë kthyer nga Kupa e Botës. Më duhet t’i shfrytëzoj të gjithë për të arritur objektivat që ia kemi vënë vetes”, shtoi Ten Hag. “Do të jetë ngarkesë, por secili prej lojtarëve ka programin dhe minutat që do të luajë. Këtu gjithçka varet edhe nga pozicionet dhe mosha e lojtarëve”.

Ten Hag ka insistuar se ekipi i tij është i gatshëm për t’u rikthyer në Premier League për ta arritur synimin, në mënyrë që sezonin e ardhshëm të luajë në Champions. Aktualisht Unitedi ka 26 pikë pas 14 ndeshjeve të zhvilluara, 11 më pak se Arsenali që është lider.