Trajneri Erik ten Hag thotë se rikthimi i lojtarëve kyç do të forcojë qëndrueshmërinë e Manchester Unitedit, teksa planifikon të vazhdojë me rezultate pozitive në Premier League pas fitores dramatike 3:2 ndaj Aston Villas në stadiumin “Old Trafford”.
Dukej se Unitedi ishte i destinuar të regjistronte edhe ndeshjen e pestë pa fitore pasi në pjesën e parë ishte në disavantazh prej dy golave. Aston Villa udhëhiqte 2:0 me golat e shënuar nga John McGinn dhe Leander Dendoncker.
Unitedi, megjithatë, bëri një kthim mbresëlënës në pjesën e dytë, me Alejandro Garnachon që shënoi dy herë përpara se goli i parë i shumëpritur në Premier League nga Rasmus Hojlund të siguronte fitoren që e ngriti skuadrën në vendin e gjashtë në tabelë.
Fitorja ndaj Aston Villas ishte vetëm e dyta e Unitedit në shtatë ndeshje të luajtura gjatë muajit dhjetor, por trajneri Ten Hag ka qenë pa lojtarët si Lisandro Martinez, Casemiro, Mason Mount dhe Tyrell Malacia. Të gjithë priten të kthehen në janar së bashku me Victor Lindelofin.
“Shpesh kemi qenë të detyruar të bëjmë ndryshime në ekip”, pranoi Ten Hag të mërkurën, një ditë pas fitores ndaj Aston Villas. “Askush që nuk është trajner nuk i kupton këto rutina. Ne e dimë se futbolli ka të bëjë me performancën dhe qëndrueshmërinë dhe e dimë se duhet të vazhdojmë me këtë ritëm për të bërë një hap para. Mirëpo jam i sigurt se kur të kemi më shumë lojtarë në dispozicion në pozicionet kyçe, do të kemi më shumë qëndrueshmëri në rezultate pozitive”.
Marcus Rashford bëri startimin e parë tek Unitedi që nga 2 dhjetori. Sulmuesi anglez fillimisht kishte humbur vendin e titullarit nga Garnacho.
“Unë mendoj se Rashford luajti shumë mirë. Ai ishte i sëmurë dhe gjithashtu kishte një ose dy ndeshje ku ne preferuam të luanim me Garnachon në anën e majtë, por ai e meritonte. Ka konkurrencë të brendshme”, pranoi Ten Hag. “Ndaj Aston Villas luajtëm me Garnachon në të djathtë dhe kjo mund të jetë një zgjidhje për të ardhmen. Mendoj se Garnacho dhe Rashford mund të aktivizohen së bashku në sulm”.
Ten Hag është ndarë shumë i kënaqur edhe me golin e shënuar nga danezi Hojlund.
20-vjeçari ka vetëm një gol në Premier League, ku ka zhvilluar 15 ndeshje prejse iu bashkua Unitedit nga skuadra e Atalantas për 80 milionë euro. Në fakt, Hojlund i tha fundit pritjes për golin e parë në kampionat pas 1027 minutave lojë.
“Hojlund ishte në presion të madh prej të gjithëve dhe jam i gëzuar që më në fund e shënoi golin e parë. Besoj se tani ai do të ketë vetëbesim më të madh dhe do të vazhdojë të shënojë rregullisht pasi kemi nevojë për golat e tij”, u shpreh Ten Hag.
Ndeshjen e radhës në kampionat, Unitedi e luan të dielën në udhëtim te skuadra e Nottingham Forestit.