Erik ten Hag u zotua të bëjë gjithçka të mundshme për të ndihmuar Manchester Unitedin t'i japë fund pritjes më të gjatë në 40 vjetët e fundit për trofe, përpara ndeshjes gjysmëfinale të “Carabao Cup” në Nottingham Forest.
Gjiganti nga “Old Traffordi” është sinomin i trofeve në futbollin anglez, por nuk ka shtuar asnjë trofe në kabinetin e klubit që kur mposhti Ajaxin për të triumfuar në Ligën e Evropës në Stokholm në vitin 2017. Unitedi ka arritur në fazën gjysmëfinale të garave të ndryshme në gjashtë raste që atëherë, duke humbur në finalen e Kupës FA në vitin 2018 dhe finalen e Ligës së Evropës në vitin 2021. Skuadra që është përmirësuar këtë sezon nga trajneri Ten Hag është tani dy ndeshje larg trofeut të parë pas gjashtë vjetësh – një pritje e përjetuar për herë të fundit midis viteve 1977 dhe 1983.
“Është ndjenja më e mirë që mund të kesh të fitosh një trofe”, tha trajneri i Unitedit, i cili fitoi Eredivisien me Ajaxin edicionin e kaluar. “Kam pasur fatin në karrierën time për të fituar disa trofe dhe është madhështore, veçanërisht për tifozët. Është shumë e mrekullueshme dhe mendoj se tifozët këtu kanë një përvojë, veçanërisht ata më të moshuarit. Por tani është një periudhë që Manchester Unitedi nuk ka fituar trofe dhe është shumë e gjatë. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë fakt dhe duhet të bëjmë gjithçka për të sjellë një trofe”.
Unitedi nis fazën gjysmëfinale me dy ndeshje, të mërkurën mbrëma (21:00), në atë që me siguri do të jetë një duel i vështirë në stadiumin “City Ground”. Unitedi nuk ka luajtur në këtë stadium që nga viti 1999, kur Ole Gunnar Solskjaer shënoi katër gola në fitoren 8:1.
“Ka kaluar shumë kohë që kur Unitedi luajti në këtë stadium dhe e kemi parasysh se nuk do të jetë lehtë. Por mua më pëlqen të luaj për një publik fanatik. Do të jetë një atmosferë e mirë dhe mendoj se do të motivojë lojtarët dhe ne duhet të jemi gati për këtë”, shtoi Ten Hag.
Ai tha se Unitedi duhet patjetër të rikthehet te ndjenja e fitimit të trofeve. Ndeshjen e kthimit ndaj Nottinghamit, Unitedi do ta luajë më 1 shkurt.
Ten Hag beson se ekipi i tij do të kualifikohet në finale dhe do të triumfojë në këtë garë. Në finalen eventuale, Unitedi përballet me fituesin e gjysmëfinales Newcastle United - Southampton. Finalja do të luhet më 26 shkurt, ndërsa ky është edicioni i 63 i Kupës së Ligës.
“Ka të bëjë me fitimin e trofeve kështu që ne kemi një mundësi të mirë dhe nuk jemi larg. Mirëpo, duhet t’i përfundojmë në mënyrën më të mirë të mundshme dy ndeshjet me Forestin dhe pastaj të mendojmë për finalen”, është shprehur Ten Hag. “Synimi ynë është fillimisht të kalojmë këtë fazë dhe pastaj të përgatitemi për finalen dhe sigurisht për ta fituar trofeun e parë pas gjashtë vjetësh, që do të ishte diçka fantastike”.
Ten Hag, i cili mori drejtimin e Unitedit para fillimit të këtij edicioni, po kërkon që ekipi t’i kthehet fitoreve pas dy rezultateve zhgënjyese në kuadër të Premier Leagues. Të mërkurën e shkuar, Unitedi nuk mori më shumë se një pikë ndaj Crystal Palacet (1:1) në ndeshjen e mbetur të xhiros së shtatë. Ndërsa të dielën e humbi derbin nga Arsenali, 3:2. Aktualisht zë vendin e katërt në kampionat me 39 pikë, 11 më pak se Arsenali që është lider.
“Ne tashmë i kemi lënë pas vetes ato dy rezultatet zhgënjyese të javës së shkuar. Jemi të fokusuar në Carabao Cup dhe duam të kthehemi te fitorja pasi është shumë e rëndësishme për ecurinë tonë. Jemi të fokusuar për t’i shkuar deri në fund kësaj gare”, u shpreh holandezi.
I pyetur nëse mbrojtja e Unitedit e shqetëson, Ten Hag u shpreh: “Jo, sepse mendoj se në shumë ndeshje kemi bërë shumë mirë”.
Mesfushori Casemiro rikthehet nga pezullimi ndaj Forestit, por Anthony Martial, Diogo Dalot dhe Jadon Sancho do të mungojnë.
“Të gjithë lojtarët që nuk ishin në dispozicion për ndeshjen ndaj Arsenalit do të mungojnë edhe ndaj Forestit. E kam fjalën për Dalotin, Martialin dhe Sanchon”, shtoi Ten Hag.