Sport

Tek Inter Turku vlerësojnë Dritën, por shpresojnë në kualifikim

Skuadra finlandeze, Inter Turku ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para ndeshjes kthyese në Ligën e Konferencës ndaj Dritës.

Skuadra finlandeze ka udhëtuar e kompletuar në Prishtinë dhe me synim për të kaluar në raundin e dytë kualifikues.

Në ndeshje e parë në shtëpi, finlandezët shënuan fitore me rezultatin 1:0.

Trajneri i Turkut, Miguel Grau, ka thënë se ekipi i tij është i fokusuar maksimalisht për këtë takim.

“Për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme. Jemi shumë të fokusuar për këtë ndeshje, por më e rëndësishme është se si do të paraqitemi të martën dhe për këtë jemi përgatitur maksimalisht. Ne e dimë se nuk do të jetë e lehtë pasi në ndeshjen e parë Drita ka treguar se është një ekip shumë i mirë dhe besoj se ishin detajet që e vendosën takimin. E dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë pasi do të ketë edhe shumë tifozë të Dritës që do ta përkrahin në këtë përballje. Por ne duhet të bëjmë punën tonë dhe duhet të jemi jashtëzakonisht të fokusuar pasi luajmë ndaj një kundërshtari të fortë”, ka thënë Grau në konferencë për shtyp të mbajtur në stadiumin në Prishtinë.

Trajneri spanjoll ka pasur vetëm fjalë të mira për Dritën. Ai thotë se përkundër fitores së parë, gjithçka është e hapur për takimin që luhet të martën.

“Drita është skuadër shumë cilësore, kompakte dhe shumë e rrezikshme. Për mendimin tim është ekip tejet i mirë. Jemi në epërsi prej një goli nga ndeshja e parë por gjithçka është e hapur edhe për takimin e dytë”, ka shtuar trajneri i skuadrës finlandeze.

Gati për takim është shprehur edhe kapiteni i Turkut, Rick Ketting. Mbrojtësi holandez thotë se janë në formën e duhur.

“Ne jemi gati për këtë ndeshje shumë të rëndësishme. Mendoj se kemi bërë lojë të mirë në ndeshjen e parë dhe sigurisht që ishte një ndeshje e vështirë dhe presim që të jetë ndeshje e vështirë edhe të martën. Deri më tani kemi kaluar shumë mirë, jemi skuadër që kemi qenë së bashku për një kohë të gjatë dhe kjo është shumë e mirë për grupin, që të jemi edhe më shumë të lidhur. Tani do të zhvillojmë edhe stërvitjen e fundit dhe besoj se do të jemi të gatshëm për ndeshjen të martën”, thekson Ketting.

Ndeshja Drita – Inter Turku zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:00.

Fituesi kalon në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.